Gjyqtari Ilir Toska: Avokatin nuk e kam mik, por la peng shtëpinë e tij për kredinë time

Gjyqtari Ilir Toska: Avokatin nuk e kam mik, por la peng shtëpinë e tij për kredinë time

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ilir Toska, u zgjodh së fundmi anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) pasi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Vetingut, por me pikëpyetje shumë të mëdha sa i përket pastërtisë së figurës dhe situatave të konfliktit të interesave.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), përkundër pritshmërisë së atyre që e ndoqën procesin ndaj tij, përfshirë edhe gazetarët, vendosi t’i hapë dritë jeshile vijimit të karrierës së Ilir Toskës, duke trajtuar dukshëm në mënyrë favorizuese disa gjetje problematike mbi gjyqtarin që kandidonte për KLGJ.

Komisioni i Vetingut, i ndihmuar edhe nga një arsyetim i pakuptimtë i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), justifikoi një situatë konflikti interesi ndërmjet gjyqtari Toska dhe një avokati, i identifikuar në vendimin e zbardhur nga KPK vetëm me inicialet L.A.

Gjyqtari Toska ka blerë në vitin 2005 një apartament me vlerë 50 mijë euro, në Tiranë. Për blerjen e këtij apartamenti, gjyqtari ka përdorur kursime, hua dhe një kredi e butë, marrë nga shteti, në vlerën 5 milionë lekë.

Për të marrë kredinë, ai ka vendosur si kolateral një pasuri të regjistruar në emër të avokatit L.A. Komisioni i Vetingut ka zhvilluar procedurën formale të verifikimit të raporteve ndërmjet gjyqtarit Toska dhe avokatit L.A. Gjykata e Apelit Tiranë ka njoftuar KPK-në se avokati L.A. ka përfaqësuar plot 19 raste, në të cilat në trup gjykues ka qenë gjyqtari Toska.

Pasi ka marrë në analizë këto raste, Komisioni i Vetingut, ka trajuar në mënyrë të detajuar 5 raste, në të cilat klientët e avokatit L.A. nuk kanë përfituar lehtësira nga trupa gjykuese, në të cilat ka qenë pjesë gjyqtari Ilir Toska.

Ndërsa, për 14 rastet e tjera, KPK ka dhënë një shpjegim teoriko-filozofik. Sipas Komisionit të Vetingut, këto raste “kanë të bëjnë me masa sigurimi personal në lëndë penale, përkundrejt individëve të dyshuar si autorë veprash penale, vendimmarrje të cilat parimisht nuk mund të thuhet se determinojnë procesin penal ndaj këtyre individëve, ndërkohë që nuk ka ndonjë të dhënë faktike që ato të kenë determinuar proceset penale në ato raste”.

Komisioni nuk e ka parë të arsyeshme të shpjegojë se cila ka qenë vendimmarrja në këto raste. Por, argumenti vijon: “Duket që ato janë çështje gjyqësore rutinë, për vepra dhe autorë me rrezikshmëri jo të theksuar, të vogël apo të moderuar…”, ç’ka krijon përshtypjen se klientët e avokatit L.A. paska fituar lehtësira në masat e sigurimit nga trupat ku ka qenë gjyqtari Toska.

Komisioni duket se nuk ka pasur asnjë dyshim që, për këto 14 raste, mund të ketë pasur një lloj favorizimi, aq më tepër ndonjë situatë të mundshme korrupsioni ndërmjet gjyqtarit Toska dhe avokatit L.A, i cili kishte lënë peng shtëpinë e tij për t’i siguruar gjyqtarit marrjen e kredisë.

Kjo duket edhe nga fakti që KPK i është drejtuar ILDKPKI, për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë situatë konflikti interesi ndërmjet dy zyrtarëve të drejtësisë. Inspektorati ka arritur në konkluzionin se, ndërmjet gjyqtari Toska dhe avokatit L.A. nuk ka pikëprerje të interesave private, pasi nuk ekzistojnë të dhëna, siç parashikon ligji për parandaliminin e konfliktit të interesave.

Ky ligj parashikon se konflikti i interesave do të ishte në rast se Toska dhe avokati L.A do të ishin familjarë mes tyre, ose do të kishin një marrëdhënie miqësore të fortë. Por, sipas deklarimeve të gjyqtarit Toska në Komisionin e Vetingut, ai “nuk ka pasur ndonjë shoqëri të theksuar me këtë shtetas dhe as marrëdhënie shoqërore ndër vite”. Ky deklarim duket se ka qenë mëse i mjaftueshëm për të arritur në konkluzionin se ndërmjet gjyqtarit Ilir Toska dhe avokatit L.A nuk ka konflikt interesi.

Por, as ILDKPKI dhe, për më tepër, as Komisioni i Vetingut, nuk ka arritur të ngrejë një pyetje fare të thjeshtë: Nëse ndërmjet të dyve nuk ka pasur raporte të theksuara miqësore, për çfarë arsye madhore avokati L.A. ka lënë peng apartamentin e tij, me qëllim që gjyqtari Ilir Toska të merrte kredi në bankë?

Kjo është një pyetje, e cila, as nuk është shtruar dhe as nuk është trajtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjithashtu KPK ka refuzuar këmbënguljen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) për konstatimin e gjyqtarit Ilir Toska si “të papërshtatshëm për të vijuar detyrën”. Në dy raporte vlerësimi, DSIK ka mbajtur këtë qëndrim, duke iu referuar një situate korruptive të vitit 2004, ku përfshihej gjyqtari Ilir Toska, në atë kohë inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Sipas DSIK, Ilir Toska, në atë kohë me detyrë kryetar i inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dyshohet të jetë përfshirë në një rast korrupsioni pasiv, që lidhet me dhënien e mitës nga një gjyqtar për dy inspektorë të KLD-së, njëri prej të cilëve është subjekti i rivlerësimit, z. Ilir Toska. Mita u dha me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Rendit Publik. Në atë periudhë, inspektorët e KLD-së ishin të ngarkuar për kontrollin e një çështjeje civile të gjykuar nga gjyqtari mitëdhënës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ka analizuar në zyrat e tij rastin, ka arritur në konkluzionin se informacioni nuk ishte i besueshëm. Në këtë mënyrë, gjyqtari Ilir Toska mori vendimin për konfirmimin në detyrë nga KPK, ndërkohë që ky vendim mbeti i pandryshuar deri në fund, pasi Komisioneri Publik vendosi të mos e ankimojë këtë vendim.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ilir Toska, pak javë më parë u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, trupa që do të trajtojë karrierën e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë.

Botuar nga BoldNews

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>