Buxheti ka lindur si instrument i planifikimit të shpenzimeve dhe kontrollit të administrimit në organizatat ekonomike. Të njejtin qëllim luan edhe buxheti qeveritar—parashikon ecurinë e hyrjeve dhe daljeve të të ardhurave nga arka e shtetit; verifikon dhe kontrollon ecurinë faktike të të ardhurave për të shmangur vështirësitë apo të papriturat dhe, mbi të gjitha, ndihmon për teë bërë përmirësimet dhe rregullimet e nevojshme në buxhet.
Përditësimi i buxhetit mbi bazën e të dhënave të papritura është detyra kryesore e atij që ka përgjegjësinë për kontrollin dhe drejtimin e financave të kompanisë.
Në rastin e shtetit, kjo detyrë i takon Ministrit të Financave, i cili monitoron të dhënat për ecurinë fiskale dhe përshtat mbi këtë bazë planin e shpenzimeve apo nivelin e taksimit, në mënyrë që të ketë gjithmonë të paratë e nevojshme për të përmbushur detyrimet e shtetit dhe për të mbyllur bilancin në mënyrën e parashikuar.
Në përgatitjen e buxhetit, vendimet për shpenzimet dhe të ardhurat bëhen mbi bazën e politikave ekonomike, të cilat duhet të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare, si dhe rritje të pranueshme të ekonomisë për të përmirësuar mirëqenien e popullsisë. Përmbushja e këtyre objektivave ekonomike garanton qëndrueshmërinë politike të vendit.
Organizatat ndërkombëtare si BE, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj, janë gjithashtu të interesuara të verifikojnë saktësinë dhe qëndrueshmërinë e parashikimeve, për të vendosur nëse duhet të ndihmojnë apo jo.
Përkundër këtyre standarteve në Shqipëri ka mbërritur një sistem i ri: gjysëm buxheti, në të cilin funksioni parësor dhe fillestar i buxhetit—kontrolli i ecurisë së hyrje-daljeve të të ardhurave—është injoruar plotësisht, të paktën, për pjesën e të hyrave, vetëm për të mos pranuar se ka vështirësi në mbledhjen e të ardhurave; ndërsa është zhdukur fare dimensioni shumëvjeçar i buxhetit.
Për të pasur argumenta politikë për t’i përdorur para mediave janë modifikuar pak shifrat e shpenzimeve.
Pastaj, krijojnë qëllimisht ngatërresë mes parashikimeve dhe realitetit (…kush do ta kuptojë?), dhe kështu arrijnë të thonë se kanë “ulur borxhin” dhe “optimizuar shpenzimet”.
Por për për borxhin në fakt është ulur vetëm parashikimi dhe në fakt borxhi rritet jo pak, ndërsa shpenzimet korrente apo të investimeve janë “optimizuar” duke i ulur, për shkak se arka është bosh.
Gjysëm buxheti ka vetëm funksion propagandistik, ashtu si fatkeqësisht të gjitha veprimet ekonomike të kësaj qeverie: sa për të treguar që qeveria bën ndonjë gjë, thotë ndonjë gjë, apo di ndonjë gjë.