Një grup studentësh të “Lëvizjes për Universitetin” kanë qëlluar me vezë makinën e kryeministrit Rama. Studentët protestues goditën me vezë, kur kryeministri Rama doli nga një takim me biznesin e vogël. Menjëherë ka ndërhyrë policia duke arrestuar nëntë studentë. Takimi i kryeministrit me përfaqësues të biznesit të vogël po zhvillohej në ambjentet e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Protesta e studentëve ndaj kryeministrit lidhet me kundërshtitë e tyre ndaj ligjit për arsimin e lartë. Studentët nisën protestat kundër qeverisë në momentin kur u prezantua ligji për arsimin e lartë në Kuvend dhe vazhduan derisa ligji u miratua. Qeveria nuk reflektoi në ligj pretendimet e studentëve dhe pedagogëve, duke e miratuar ligjin pa asnjë ndryshim.
Edhe Berisha është goditur me vezë kur ishte kryeministër. Ngjarja ka ndodhur në shtator të vitin 2012, kur Berisha ishte duke dalë nga një takim me kryeministrin grek dhe atë italian në Itali dhe është goditur me vezë nga aktivistët “Kuq e Zi”. Një vit më vonë, në shtator të vitit 2013, një grup ish-të përndjekurish politike, goditën me miell makinën e kryeministrit Berisha. Ata protestuan ndaj qeverisë Berisha në mungesë të plotësimit të kërkesave të tyre.