Një histori e famshme po qarkullon në të gjitha mediat e botës. Ai ishte një burrë i pushtetshëm, që mund të hapte shumë dyer të karrierës dhe famës. Ato ishin vajza të reja, të bukura dhe të vendosura për të bërë karriere, me çdo kusht.
Ai, i fuqishëm nga pushteti i tij, i merrte dhe ato pranonin, ndoshta të pështirosura, por jo deri në pikën sa të thoshin jo. Të gjitha, përveç atyre që refuzimi i pengoi të bënin karrierë dhe i zhyti në harresë.
Të gjithë e dinin, por heshtnin ose vetëm pëshpërisnin nën zë, por ai financonte karriera politike, ishte mik me të gjithë radikalët e veshur shik, dhe të gjithë bënin sikur nuk dinin asgjë.
Më pas dikujt nuk i pëlqeu mënyra e sjelljes dhe e denoncoi, dhe njëra pas tjetrës, të gjithë ato që kishin heshtur (dhe kishin marrë përfitimet) folën në publik duke kërkuar të sillen si viktima.
Një skandal i madh. Të gjithë filluan të komentojnë “kurvat” e mjera, të dënojnë heshtjen e tyre të atëhershme apo denoncimin e tyre sot. Ndërsa gjykimi për të është ende i zbutur, për shkak të frikës nderuese. Termi më i përdorur kundër tij, “grabitqar”, përfshin justifikimin biologjik të dënuar gjithmonë më të drejtë nga gratë, dhe nuk është as sinonim i zbutur i termave më të përshtatshëm dhe më të vërtetë që e përshkruajnë atë: “derr” apo “manjak”.
Në Shqipëri ne kemi historitë tona si kjo. Ndonjë ministër dhe kryebashkiak të denoncuar me shumë bujë nga media dhe të shkatërruar politikisht, ndërsa të tjerët vazhdonin të bënin të njëjtat gjëra, duke gjetur karrieriste konsensuale më shumë se sa virgjëresha të paepshme.
Ne kemi personazhe të pushtetshëm që haptasi “masin me sy” personelin e zyrave të tyre, pa asnjë konsideratë për dinjitetin njerëzor, të mbrojtur nga një heshtje hipokrite e të gjithë shoqërisë përreth, dhe nga përdorimi hipokrit i gjuhës: nga grabitqar në hajdut ndryshimi është i vogël e po aq i vogël është ndryshimi nga grabitqar në përdhunues.
Të gjithë e dinë, por bëjnë sikur nuk e dinë, e më pas, nëse çështja do bëhej publike dhe e pamohueshme, të gjithë do të shqyenin rrobat dhe do të thonin që e dinin, që e kishin kuptuar, por nuk kishin prova.
Dhe kjo nuk ndodh vetëm për çiftimet mbi tavolinat e zyrave, ndoshta jo tërësisht në mënyrë konsensuale, por edhe për një sërë krimesh të përhapura të cilat janë kancer i vërtet shoqëror.
Të gjithë e dinë se nga ku vijnë paratë e disa nga biznesmenëve të mëdhenj të vendit, apo të pronarëve të mediave, se çfarë bëjnë në Itali, Austri, Greqi apo Gjermani shumë emra të njohur të skenës shqiptare, sa kokainë përdorin figura të shquara politike, sa kushtojnë disa gjykatës dhe çfarë pune bëjnë me të vërtet disa sipërmarrës të suksesshëm.
Të gjithë e dinë, por përfitojnë dhe bëjnë sikur nuk dinë. Dhe shoqërohen, bëjnë biznes, bëjnë homazhe dhe madje fshehtas i lakmojnë një numër personash të neveritshëm dhe të pashoqërueshëm.
Më pas kur të shpërthejë, do të shpallen viktima të ngjarjeve, zemërthyer nga dhimbja dhe të trembur nga të vërtetat e shpallura.
Hipokritë funksionalë të pushtetit ekzistues, metastaza të tumorit që po vdes shoqërinë tonë.