Gramoz Ruçi e “masakroi” rregulloren e Kuvendit—ogur i keq për drejtimin e tij

Gramoz Ruçi e “masakroi” rregulloren e Kuvendit—ogur i keq për drejtimin e tij

Të enjten e shkuar, Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga tensione e përplasje verbale mes shumicës dhe deputetëve demokratë, të cilat penguan zhvillimin normal të punimeve dhe prodhuan akuza dhe kundërakuza reciproke.

Ajo që ndodhi u komentua politikisht nga shumëkush, por askush nuk analizoi pretendimet dhe veprimet e palëve.

Exit.al shpjegon më poshtë zhvillimin e ngjarjeve dhe ligjshmërinë e veprimeve të Kryeparlamentarit Ruçi.

Konteksti

Një nga pikat e rendit të ditës të seancës së të enjtes ishte shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për ngritjen e një komisioni për reformën zgjedhore.

Për këtë arsye, katër deputetë të Partisë Demokratike, përfshi kryetarin Lulzim Basha, kishin depozituar që një ditë më parë kërkesën për të diskutuar për këtë çeshtje në seancë.

Ecuria e ngjarjeve gjatë seancës

Seanca filloi normalisht dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit—ligji që rregullon të gjitha procedurat parlamentare e për nga rëndësia vjen pas Kushtetutës.

Kuvendi miratoi procesverbalin e punimeve të seancës së mëparshme plenare dhe raportoi për projekt-ligjet e reja dhe kërkesat e reja që ishin paraqitur në Kuvend. Pas kësaj, Ruçi njoftoi kalimin në pikën e rendit të ditës për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore.

Edhe pse ishin depozituar kërkesa për të diskutuar para votimit, Ruçi vendosi të mos lejojë diskutime por të hedhë direkt në votim miratimin e vendimit për ngritjen e komisionit.

Menjëherë, para fillimit të votimit, kryetari i grupit demokrat Edmond Spaho kërkoi fjalën për çështje procedure dhe kërkoi që, në zbatim të rregullores së Kuvendit, të lejoheshin diskutimet para se të kalohej në votim.

Menjëherë pas Spahos, fjalën e morën kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Taulant Balla dhe Petrit Vasili, të cilët u shprehën se ishin të papërgatitur për të diskutuar, edhe pse çështja ishte në rendin e ditës prej kohësh. Për këtë arsye Taulant Balla kërkoi që çështja të hiqej nga rendi i ditës dhe të shtyhej për një herë tjetër. Me këtë propozim të tij ra dakord edhe Petrit Vasili në emër të LSI-së.

Gramoz Ruçi hodhi menjëherë në votim heqjen e çështjes nga rendi i ditës dhe futjen e saj në punimet e seancës së ardhshme plenare. Deputetët e PS-së dhe LSI-së votuan pro heqjes, deputetët demokratë kundër.

Deputetët demokratë e denoncuan menjëherë votimin si të paligjshëm, në dhunim të Rregullores së Kuvendit. Por protestat e tyre nga vendi u shpërfillën nga Gramoz Ruçi, i cili refuzoi gjithashtu t’u jepte fjalën për të shprehur kundërshtinë e tyre.

Kryetari Basha doli në podium dhe kërkoi të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe të shtyhet seanca për pasdite. Por Kryetari i kuvendit Ruçi nuk i dha leje të flasë, nuk ia miratoi kërkesen dhe i fiku mikrofonin.

Të paktën dy deputetë demokratë kërkuan gjtihashtu fjalën për të shpjeguar votën kundër, e drejtë që jua njeh rregullorja e Kuvendit, por Ruçi e shpërfilli kërkesën dhe nuk jua dha fjalën.

Për të rikthyer normalitetin, Ruçi i kërkoi Bashës largimin nga podiumi dhe e paralajmëroi për masë ndëshkimore nëse do vazhdonte të pengonte punimet e seancës. Basha nuk e lëshoi podiumin dhe Ruçi ndërpreu seancën parlamentare.

Pas pak minutash Ruçi e rifilloi seancën por Basha dhe demokratët vazhduan të mbanin të bllokuar podiumin. Ruçi paralajmëroi sërish Bashën dhe ndërpreu sërish seancën.

Praktika u përsërit pas pak minutash—Ruçi rifilloi seancën, paralajmëroi Bashën dhe e ndërpreu menjëherë seancën, gjithçka brenda 1-2 minutash.

Ruçi e rifilloi për herë të tretë seancën, i kërkoi sërish Bashës largimin nga podiumi dhe pas refuzimit të këtij të fundit e përjashtoi atë nga seanca dhe u kërkoi punonjësve të sigurisë ta largonin me forcë nga seanca.

Pavarësisht tensionit dhe rrëmujës, Ruçi vendosi të vazhdojë seancën duke hedhur në votim një sërë çështjesh të tjera pjesë të rendit të ditës.

Shkeljet ligjore të kryera nga kryeparlamentari Ruçi

1. Ruçi shkeli që në fillim të seancës nenin 46, Pikën 1 të Rregullores së Kuvendit, i cili i kërkon drejtuesit të seancës të bëjë të ditur që në fillim emrat e deputetëve që kanë kërkuar të flasin në seancë, pavarësisht çështjeve për të cilat e kanë kërkuar fjalën. Ruçi nuk e bëri këtë gjë as në fillim të seancës dhe në asnjë moment tjetër.

2. Ruçi shkeli nenet 46 dhe 48 të Rregullores të cilët i japin të drejtë të flasë çdo deputeti që dëshiron të flasë për çështjen në diskutim. Për këtë, mjafton regjistrimi i tyre paraprakisht. Edhe pse katër deputetë demokratë ishin regjistruar një ditë më parë, Gramoz Ruçi nuk e bëri të ditur këtë gjë dhe vendosi që të mos lejonte diskutime por të kalohej direkt në votim.

3. Gramoz Ruçi shkeli nenet 30 dhe 31 të Rregullores të cilët rregullojnë mënryën e futjes dhe ndryshimit të rendit të ditës së një seance. Nëni 31 ndalon futjen gjatë zhvillimit të një seance në rendin e saj të çështjeve që nuk janë paraprakisht në të.

Heqja e miratimit të Komisionit zgjedhor është çështje e veçantë, e cila nuk ishte në rendin e ditës—në rend ishte shqyrtimi dhe miratimi i komisionit. Deputetët mund të votonin pro ose kundër krijimit të komisionit, por ata nuk mund të votonin heqjen e këtij votimi nga rendi i ditës.

Neni 30 i rregullores përcakton procedurën si mund të bëhet ndryshimi i rendit të ditës së një seance, pasi ky rend dite është miratuar. Neni shprehet qartë se propozimi për ndryshimin e rendit të ditës të seancës duhet të bëhet përpara fillimit të seancës, duhet të paraqitet me shkrim dhe duhet të propozohet nga të paktën 10 deputetë, një grup parlamentar ose Këshilli i Ministrave. Ky propozim duhet të votohet dhe të miratohet me tre të pestat e deputetëve të pranishëm në seancë.

Ka një arsye të rëndësishme për këtë procedurë strikte: nëse një çështje mund të hiqet nga rendi i ditës në mes të diskutimit të saj parlamentar, atëhere në rastet kur shumica shikon se nuk i ka votat e nevojshme për të miratuar një ligj në vend që të shkojë në votim dhe të humbasë, ajo mund të zgjedhë ta heqë çështjen fare nga votimi dhe ta risjellë atë në një kohë tjetër.

Kryetari i Kuvendit nuk zbatoi asnjë nga kërkesat e mësipërme ligjore për heqjen e çështjes nga rendi i ditës: kërkesa u bë gjatë seancës dhe jo para saj, u bë me gojë dhe jo me shkrim, dhe nuk u votua nga më pak se tre të pestat e deputetëve të pranishëm. Kryetari i Kuvendit vendosi ta heqë vendimin për komisionin zgjedhor nga rendi i ditës aty për aty, në mënyrë arbitrare, pa përfillur asnjë procedur parlamentare.

4. Gramoz Ruçi shkeli Nenin 51 të Rregullores, i cili i njeh çdo deputeti të drejtën të shpjegojë votën kundër, menjëherë pas një votimi kundër prej tij. Nga filmimet e seancës është e qartë se të paktën deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi në mënyrë të vazhdueshme të drejtën e fjalës për të shpjeguar votën e saj kundër ndryshimit të rendit të ditës.

5. Gramoz Ruçi shkeli nenet 52 dhe 66 të Rregullores së Kuvendit që trajtojnë rastet e ndërprerjes apo të ndalimit të seancave parlamentare. Neni 52 i jep drejtuesit të seancës të drejtën që ta ndërpresë seancën vetëm një herë për të njejtën çështje, dhe për një periudhë kohore jo më të gjatë se 60 minuta. Ruçi e ndërpreu dhe rifilloi senacën tre herë dhe të paktën një nga ndërprerjet zgjati më shumë se 60 minuta.

Ruçi shkeli edhe Nenin 66 të Rregullores, i cili i kërkonte atij që në kushtet e vazhdimit të rrëmujës në sallë, ta pezullonte seancën për një periudhë kohe të caktuar ose ta mbyllte atë dhe ta thërriste të nesërmen me të njejtin rend dite. Ruçi insistoi në vazhdimin e punimeve, duke e ndërprerë dhe rifilluar atë përtej kompetencave. Dhe pastaj duke vazhduar punimet e seancës në kushtet e rrëmujës.

6. Së fundmi, Ruçi shkeli Nenin 45 të Rregullores duke u mohuar deputetëve demokratë të drejtën e tyre për të folur për çfarëdo çështje që duan jashtë rendit të ditës në fund të seancës. Në të kundërt, Ruçi nuk lejoi asnjë diskutim gjatë gjithë seancës duke shënuar kështu ndoshta të vetmen seancë shqyrtimi parlamentare në historinë e Kuvendit ku nuk u bë asnjë diskutim nga deputetët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>