Nga Libofsha e Fierit, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi iu drejtua mbi dy mijë banorëve të Unazës së Re, të cilët po protestojnë kundër vendimit të qeverisë për t’u prishur banesat:
Kam ndjekur me shqetësim demostrimin te sheshi Shqiponja të disa qytetarëve që lidhet me shpronësimet apo me mos legalizimet për arsye të një vepre kombëtare. Unë e ndjej fort se çdo të thotë të prishet shtëpia, me apo pa leje, sepse jam një si ata. Jam fshatar që edhe unë gjatë viteve të gjata të jetës kam bërë shtëpi me duart e mia, dhe kimetin e shtëpisë ia di, jo ai që ka lekë dhe e bën, por ai që ka pak lekë dhe vetë e bën, dhe kjo është e dhimbshme.
Dhe ata sot fatkeqësisht po paguajnë gabimet e politikës, të djeshme dhe të sotme. Të cilët ndryshe flasin sipas ligjit kur janë në pushtet dhe ndryshe kur janë në opozitë.
Të mos përdoren si mish për top. Një vajzë dje humbi gishtat. Pse? Se i interesonte politikës. Ndaj u bëj thirrje të ulemi, të diskutojmë, të njohim ligjin. Aty janë interesat e qytetarëve. Nëse dikush gjykon se zgjidhja s’është e drejtë, ka gjykata. Kështu funksionon shteti. E kam ndjerë nga afër këtë çështje, kërkon urtësi, qetësi dhe maturi për ta zgjidhur problemin.
Këto fjalë vinë gati 30 vjet pas rënies së komunizmit nga Ministri i fundit i Brendshëm i regjimit komunist, i cili më 31 mars 1991 urdhëroi policinë të përdorte armët në protestën antikomuniste të qytetarëve të Shkodrës, të dy ditëve më vonë, më 2 prill 1991. Më poshtë është teksti urdhëri i firmosur nga Ministri Ruçi dërguar policisë së Shkodrës:
“Për të vepruar me forcën e shkopit nuk ka askush arsye të pyes përgjegjësin. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues mos shkojnë të armatosura.”
Në protestën e 2 prill u ekzekutuan nga policia katër qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën qindra qytetarë. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka janë shpallor Martirë të Demokracisë.