Greqia do t’u kërkojë klientëve në restorante, bare dhe kafene në ambiente të mbyllura të paraqesin një dokument se janë vaksinuar kundër COVID-19 ose kanë rezultuar negativ në një test brenda tre ditëve të fundit, njoftoi qeveria të martën për të luftuar një rritje të infeksioneve.
Sipas rregulloreve të reja, të cilat do të qëndrojnë në fuqi deri në gusht, të gjithë klientët në bare dhe restorante të mbyllura do të duhet të qëndrojnë ulur. Atyre që darkojnë në ambjente të hapura nuk do t’u kërkohen prova të vaksinimit ose test, raporton Reuters.
Ministri grek i Zhvillimit Adonis Georgiadis tha se kjo bëhet që industria e turizmit të vazhdojë punën normalisht pa rrezikuar humbjen e kontrollit ndaj pandemisë.
Rreth 41% e grekëve janë vaksinuar plotësisht deri më tani, ndërsa turistët duhet të tregojnë se janë vaksinuar ose të paraqesin një test negativ PCR për të hyrë në vend.
Greqia raportoi 2 065 raste të reja COVID-19 dhe 10 vdekje të hënën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 440 872 dhe numrin e vdekjeve në 12 802.
Greqia ka bërë të detyrushëm vaksinimin kundër COVID-19 të punonjësve të shtëpive të të moshuarve, mjekëve dhe infermierëve. Ata që nuk do të pranojnë nuk do të mund të vijojnë të punojnë por nuk do të paguhen. Klinikat ose spitalet që zbulohen se shkelin këtë masë do të gjobiten me 50 000 euro.