Ministria greke e Punëve të Jashtme kundërshtoi sot pretendimet e qeverisë shqiptare, se çështja e Çamëve Shqiptarë është një nga temat kryesore në axhendën e bisedimeve midis dy vendeve.
Përmes një njoftimi zyrtar, ministria greke u shpreh:
“Ne kategorikisht hedhim poshtë deklaratat e zyrtarëve shqiptarë për përfshirjen e supozuar të çështjes Çame në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Përveç kësaj, vullneti i palës shqiptare për ta përfshirë atë është një gjë, dhe pranimi në të vërtetë për diskutim është një tjetër.”
Ministria greke vazhdoi më tej: “Ne i bëjmë thirrje palës shqiptare të mos ngrejë çështje që kundërshtojnë dialogun e sinqertë dhe konstruktiv, një dialog që ndihmon, në sajë të përpjekjeve të të dyja palëve, që të përmirësojë ndjeshëm klimën në marrëdhëniet greko-shqiptare”.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme greke erdhi pas deklaratave të Ministrit Bushati, dje në mbrëmje, se Shqipëria do ta ngrejë çështjen çame derisa të gjehet një zgjidhje:
“Për çështjen came kemi tre vjet që flasim. Unë kam shkëmbyer një dokument si ministër i Jashtëm, që ka nxitur më pas mekanizmin e dialogut për këtë proces. Çështja çame do të vijojë të jetë çështje për ne, derisa ajo të gjejë zgjidhje.”
Kohët e fundit, Shqipëria dhe Greqia janë në një proces diskutimi të zgjidhjes së çështjeve të hapura mes tyre, me qëllim që të hapin rrugën për një të ardhme më të frytshme pa probleme të pazgjidhura.
Deri më tani dy ministrat e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh, një në Kretë dhe një në Korçë.