Partia kryesore e opozitës në Greqi, Syriza i ka bërë thirrje qeverisë greke që të miratojë shpejt tre memorandume të nënshkruara midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si pjesë e marrëveshjes për ndryshimin e emrit (Marrëveshja e Prespës) pas raporteve që sugjerojnë se Athina mendon për shtyrjen e mëtejshme të procesit.
Një Twitter nga udhëheqësi i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev që ekipi kombëtar përbëhet nga “lojtarë maqedonas, lojtarë shqiptarë, boshnjakë etj. […] Ata janë maqedonas […] dhe përfaqësojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shkaktoi një reagim të fortë nga qeveria greke, e cila propozoi ngrirjen e përkohëhme të ratifikimit të tre memorandumeve, raporton Euroactive.
Memorandumet kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, përshpejtimin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Shkupit, të cilat janë ngrirë për më shumë se një vit dhe ishin gati të ratifikoheshin në korrik.
“Sillni memorandumet në parlament. Ndaloni së luajturi me të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, interesat evropiane në rajon dhe Ballkanin”, tha ligjvënësi i Syriza Kostas Zachariades, duke shtuar se çdo vonesë rrit ndikimin e Turqisë në rajon.
Opozita po kritikon qeverinë se po kërkon justifikim për të vonuar procesin për shkak të kundërshtimit të disa ligjvënësve.
Marrëveshja e Prespës u nënshkrua kur Syriza ishte në pushtet ndërsa Demokracia e Re, partia aktuale qeverisëse e kishte kundërshtuar marrëveshjen.
Konstantinos Tasoulas, kryetari i parlamentit grek (Demokracia e Re), pranoi se ratifikimi i tre memorandumeve nuk është ndër përparësitë e qeverisë.