Grevistët e Zharrzës, që marshuan për katër ditë në këmbë drejt Tiranës pas njëzet ditë grevë urie, e kaluan natën jashtë në qiell të hapur, përpara Ministrisë së Energjitikës. Policia nuk lejoi ngritjen e çadrave, pasi sipas policisë, grevistët nuk kishin marrë leje. Nga përplasjet me policinë, një prej grevistëve u shoqërua dje në spital.
Banorët prej muajsh kanë ngritur zërin për shkatërrimin e shtëpive të tyre nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum. Po ashtu, banorët e Zharrzës janë të shqetësuar për dëmet në shëndet dhe ambient që nxjerrja e naftës po shkakton në atë zonë.
Dje, gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, qeveria premtoi investigim dh verifikim të dëmeve në shtëpitë e banorëve, por grevistët nuk pranuan të largohen nga Tirana deri sa të marrin një zgjidhje konkrete.
Është pikërisht qeveria që po punon prej muajsh për të gjetur zgjidhje të një problemi të trashëguar [nga qeveria e mëparshme] që vetëm ne i zgjidhim, sepse ne dimë të zgjidhim problemet, ndërsa të tjerët dinë vetëm t’i krijojnë ose të komentojnë për to me lot krokodili. [Protestuesit] nuk kanë asnjë arsye për të vendosur një çadër përpara ministrisë, sepse u takuan me zëvendësministrin dhe u informuan me detaje për punën që është bërë për të zgjidhur këtë problem kompleks të krijuar ndër vite.
Më vjen keq që ju ecët 126 kilometra në këmbë, por kjo nuk ju bën heronj sepse ju jo vetëm që e ndërmorët marshimin me dëshirën tuaj, por edhe sepse ju mund ta kishit kursyer atë për veten dhe të tjerët, nëse do të kishit marrë informacionin që morët në takimin me zëvendëkryeministrin.
Kryeministri Rama për më tepër, premtoi të shkonte në Zharrëz vetë për të prezantuar “zgjidhjen”.
Nëse qeveria paska punuar kaq shumë muaj për të gjetur zgjidhje, do të kisht qenë më e ndershme dhe humane të kishte informuar banorët e Zharrzit në mënyrë që ata të mos kishin rrezikuar jetët e tyre në grevën e gjatë të urisë. Por si në gjithë pjesa tjetër e Qeverisë Rama, dhe vetë Kryeministri Rama fajëson qeverinë e mëparshme për çdo gabim.