Përfaqësuesja e Partisë Demokratike Grida Duma, akuzoi të martën kreun e bashkisë Tiranë Erion Veliaj se po detyron mësueset të marrin pjesë në takimet elektorale të PS.
Duma ka postuar një foto nga një takim, ku shkruan se në foto janë mësues për të cilët ajo pretendon se janë detyruar të marrin pjesë.
“Keqardhje për mësueset, që në fakt duhet të bëjmë gjithçka t’i nderojmë dhe jo keqpërdorim”, tha Duma.
Ajo ka thënë se kushdo që i ka detyruar mësuesit të marrin pjesë në këto takime pa dëshirën e tyre, do të mbajnë përgjegjësi.
“Kjo mbledhje celulë e fshehtë, është prova e fushatës së pushtetit të ikur”, tha ajo.
Ajo i ka cilësuar mësuesit që kanë marrë pjesë në këtë takim si “viktima të dhunës”.
“Në foto shihni Drejtoreshën e Zyrës Arsimore Kavajë – Xhuliana Beu, Drejtoresha e shkollës në Synej Lirie Çaça. Mësueset në vijim, për vërtetësi fakti i shënojmë vetëm inicialet sepse nuk meritojnë të përmenden ndërsa janë nën darën e dhunës”, ka shkruar Duma.