Në ceremoninë qesharake të ndarjes së çmimeve, me emrin akoma më qesharak, Bleta e Artë, organizuar nga Kryeministri Rama dhe Ministri Ahmetaj si imitim banal i ndarjes së çmimeve Oscar në Hollivud, mori pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko.
Ai ishte përzgjedhur nga organizatorët të ishte një ndër 20 e ca personat që shpërndanë çmimet që kishte vendosur Kryeministri Rama dhe Ministri Ahmetaj se kush do t’i merrte.
Gjykuar nga ana protokollare, rëndësia e çmimit që dorëzoi e rradha e ngjitjes në skenë, u duk se organizatorët e vlerësojnë Guvernatorin poshtë ministrave të qeverisë për nga rëndësia.
Përveçse qesharake profesionalisht, pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë ceremoni banale është veprim i diskutueshëm etik për drejtuesin e një institucioni të pavarur, i cili duhet të mbajë distancë nga qeveria dhe nga bizneset.
Por duket se Guvernatori nuk është i vetëdijshëm për pozicionin e tij dhe kërkesat etike e profesionale të tij.
Pak javë më parë, ai qe pjesë e shpurës që shoqëroi Kryeministrin Rama në vizitën në Hong Kong për hapjen e ekspozitës të skicave, maskuar si udhëtim pune për gjoja një forum të tregtisë Hong Kong – Shqipëri.
Muaj më parë Guverntori u pa të kalonte, në mes të orarit zyrtar, disa orë në kafene nën shoqërinë e vëllait të Kryeministrit Rama, në një nga baret e zonës së bllokut.