Deputetja Rudina Hajdari ka vizituar të enjten, gratë naftëtare në Ballsh, të cilat kanë hyrë në ditën e 15-të të grevës së urisë.
Naftëtaret i kërkuan Hajdarit që të flasë për çështjen e tyre në kuvend. Një naftëtar u shpreh:
“Ti duhet ta ngresh zërin sot në emrin tim dhe të naftëtarëve duhet ti thuash vetëm kaq Ramës, çfarë ofron ti për naftëtarët. Çfarë ofron Rama për ne që sot jemi pa bukë?”
Ndërsa një tjetër tha se sot Mallakastra ka vdekur dhe se Rama e ka varrosur Shqipërinë për së gjalli:
“Gjak shqiptari të ketë për këto heroina, ai Shqipërinë e ka varrosur për së gjalli. Ngrini zërin në parlament. Mallakastra u varros për së gjalli, pa ujë pa drita, pa punë.”
Hajdari premtoi se do të luftojë për kauzën e tyre duke ngritur zërin në kuvend, duke folur dhe me ambasadat. Hajdari akuzoi Ramën si fajtorin kryesor për gjendjen në të cilën ndodhet sot naftëtarët:
“Ju falenderoj që po luftoni për të gjithë ata që kanë të drejtë e qeveria nuk u plotëson të drejtat më minimale. Jeni këtu për të mbajtur familjet e fëmijët gjallë.
Mosreagimi është i turpshëm. Pesha më e madhe i bie ekzekutivit dhe Edi Ramës.
Kam parë çka ka ndodhur këtu dhe e di që jeni në momente të vështira. Në parlament do ngre zërin për të drejtat tuaja dhe mundësitë që më jepen do t’i shfrytëzoj.”