Haki Çako mes akuzave të opozitës dhe mbrojtjes së Qeverisë Rama

Haki Çako mes akuzave të opozitës dhe mbrojtjes së Qeverisë Rama

Drejtori i sapo shkarkuar i Policisë së Shtetit Haki Çako ka qenë një prej figurave më të sulmuara nga opozita, e njëkohësisht më të mbrojtura nga Qeveria Rama.

Që prej ardhjes në detyrë në vitin 2015, kur u prezantua nga ish-ministri Tahiri si drejtor i Përgjithshëm, Haki Çako bëri lëvizje të shumta në strukturën e policisë. Çako e prezantoi veten si një drejtor që do të ishte më shumë i pranishëm në terren dhe se nuk do ta drejtonte policinë nga zyra. Për këtë, shpesherë në media transmetoheshin material ku Çako dhe të tjerë drejtues të lartë të policisë ndiqnin nga afër në terren operacione anti-kanabis e digjnin rrënjë të bimëve narkotike.

Megjithatë, gjatë rreth 3 viteve punë  të Çakos në krye të policisë, Shqipëria u kthye në një prej prodhuesve ndërkombëtar më të mëdhenj të kanabisit, furnizuesi kryesor i Evropës me kanabis dhe një shqetësim serioz për policinë italiane që ka qenë luftuesi kryesor i bandave të narkotrafikut shqiptar, në brigjet italiane.

Pika kulmore e akuzave ndaj Çakos arriti gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës, ku LSI akuzoi drejtpërdrejtë kreun e policisë së shtetit Haki Çako si një person që kontrollohet nga karteli i drogës në vend. Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, nofka “Haki Droga” u kthye në një togfjalësh shumë të përdorur nga opozita.

Si LSI, ashtu dhe PD akuzonin në mënyrë direkte Çakon se kishte politizuar policinë, e kishte venë atë në shërbim të Qeverisë Rama dhe se me paratë e krimit po ndikoheshin zgjedhjet.

Një tjetër skandal ende i pazbardhur i Haki Çakos gjatë detyrës, është përdorimi i pajisjes së përgjimit IMCI-Catcher.

Në qershor 2016, Haki Çako u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi u akuzua nga prokuroria se në bashkëpunim, ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga Prokurori i Përgjithshëm.

Por pak ditë pas këtij vendimi, Zoti Çako u rikthye në detyrë me vendim të Gjykatës së Apelit, megjithëse në tre marrjet në pyetje nga prokuroria, Çako ka dhënë tre dëshmi të ndryshme duke rritur edhe më shumë dyshimet për shpërdorim detyre.

Opozita ka kërkuar disa herë dhe shkarkimin e menjëhershëm të Çakos, por ish-ministri Tahiri, ministri Xhafaj dhe kryeministri Rama kanë qenë gjithnjë në mbrojtje të tij. Lidhur me skandalin e pajisjes së përgjimit, në qershor 2016, ish-ministri Tahiri u shpreh:

“Haki Çako dhe 2 punonjësit nuk kanë bërë asnjë përgjim. Jap mbështetjen time personale dhe të kryeministrit për drejtorin dhe dy punonjësit”.

Ndërsa ministry aktual i Brendshëm Xhafaj, që sot lajmëroi shkarkimin e Çakos, “që policia t’i përgjigjet, më mirë pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë”, në nëntor 2017, kërkesës së LSI për shkarkimin e Çakos ju përgjigj:

“Unë nuk mund të kërkoj të shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit se ka shqetësime një forcë politike. Nëse ka shqetësime që lidhen me ushtrimin e funksionit në bazë të ligjit, ky është një arsyetim tjetër. Deri më sot nuk e kam këtë shqetësim.”

Në një deklaratë të fortë Dritan Demiraj, ish -ministër i Brendshëm, pyetur se përse gjatë kohës si ministër teknik nuk e ka kërkuar dorëheqjen e Çakos u përgjigj:

“Nuk e kam kërkuar pasi e dija që e mbronte Kryeministri.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>