Haradinaj krenar për luftën e UÇK-së: Do provohet pafajsia

Nga Exit News
Haradinaj krenar për luftën e UÇK-së: Do provohet pafajsia

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj beson në pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së nën hetim nga prokuroria speciale: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në një intervistë për Euronews Albania, Haradinaj tha se:

“Unë besoj në luftën e drejtë të UÇK-ës, pastërtinë e asaj lufte, besoj në drejtësinë e asaj lufte dhe në pafajësinë e bashkëluftëtarëve të mi, të presidentit Thaçi, të kryetarit Veseli, të kryetarit Jakup Krasniqi dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë. Edhe e kam për nder, që jemi brez, që kemi krijuar lirinë tonë.”

Haradinaj theksoi se ai e ka për nder që ka luftuar në krah të tyre dhe që ka qenë një prej drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

“E kam për nder t’i themi botës, jo vetëm shqiptare se jemi brez që kemi krijuar lirinë tonë. Vlera më sublime që krijon dikush sot është liria. Ne e kemi krijuar lirinë e jetës, të jetojmë të lirë, të cilën duket se shqiptarët e kanë më të çmueshmen, Kosova e ka, dhe i qëndrojmë besnikë kësaj.”

Sipas Haradinajt, drejtuesit e UÇK-së nuk kanë asnjë arsye përse t’i tremben drejtësisë pasi do të dalin të pafajshëm.

Një ditë më parë, Gjykata Speciale krimeve të luftës së Kosovës në Hagë ka njoftuar se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të kenë seancën e tyre të parë publike para gjykatës përkatësisht në 10 dhe 11 Nëntor.

Ndërsa paraqitja fillestare e Thaçit do të jetë të hënën, 9 nëntor, në ora 15:00, pas asaj të Jakup Krasniqit në orën 11:00 të së njëjtës ditë.

Prokuroria i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga marsi 1998 deri në shtator 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>