Hetime zyrtare për produktet e bulmetit me vaj palme në Shqipëri

Hetime zyrtare për produktet e bulmetit me vaj palme në Shqipëri

Nisin hetimet zyrtare për praninë e vajit të palmës në produktet e bulmetit në Shqipëri. Bazuar në shqetësimin e ngritur nga emisioni investigativ Fiks Fare në Top Channel, mbi praninë e vajit të Palmës në produkte bulmeti, ku në etiketat e produkteve të mara si mostra, nuk është e deklaruar përmbajtja e yndyrës bimore vaj palme, AKU bën me dije se:

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është kërkuar në mënyrë të menjëhershme, marrja e mostrave në subjektet të cilat prodhojnë dhe përpunojnë produkte me bazë qumështi si gjalpë, djathë kaçkavall, salcë kosi, të cilat do të analizohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore Veterinare (ISUV) për përmbajtje të vajit të palmës.

Ndaj operatorëve të biznesit ushqimor produktet e të cilave do të rezultojnë të përziera me vaj palme dhe të padeklaruar në etiketë, do të merren masa konform legjislacionit në fuqi.

Nga analizat e kryera nga gazetarët rezultoi se shumica e markave të gjalpit që tregtohen në Shqipëri kanë në përmbajtje vaj palme, megjithëse në etiketat e produkteve reklamohet se përbërja e tyre është me yndyrë qumështi natyral.

Sipas specialistëve, por edhe mjekëve, vaji i palmës klasifikohet si një produkt i dëmshëm për shëndetin e njeriut nëse përdoret pa kriter, apo në sasi të mëdha. Por megjithatë, ai përdoret për prodhimin e gjalpit dhe djathit kaçkavall.

AgroWeb.org ka botuar më parë artikuj mbi dëmet që shkakton Vaji i Palmës dhe për më shumë informacion klikoni këtu.

Gjithashtu gazetarët analizuan në institutin e vetëm të referencës dhe sigurisë, ISUV, gjithsej 20 mostra, 16 prej të cilave ishin gjalpë dhe 4 të tjera djathë kaçkavall.

Sipas rezultateve të analizave, vetëm 1 nga mostrat ishte brenda normave. 19 mostrat e tjera kishin në përbërje 5 deri në 50 për qind vaj palme.

Importi i Vajit të Palmës në Shqipëri

Gazetarët u interesuan pranë AKU-së, institucion nga i cili mësuan se në vendin tonë vetëm për vitin 2016 u importuan 3.720 tonë vaj palme. Janë 24 kompani që e sjellin produktin për qëllime tregtare, kryesisht për industrinë ushqimore të ëmbëlsirave. Ndërsa deri më sot, në maj të vitit 2017, janë importuar rreth 1.500 tonë.

Për tregtarët, përdorimi i vajit të palmës është mjaft i leverdisshëm për industrinë ushqimore. Produktet e prodhuara me këtë vaj ulin kostot e prodhimit dhe ruajnë qëndrueshmërinë në temperaturë ambienti për një kohë të gjatë.

Një litër vaj palme kushton rreth 180 lekë. Kostoja e një kilogram gjalpë është rreth 600 lekë, ndërsa e djathit kaçkavall rreth 800 lekë. Pra, rreth trefish më lirë. Rezultatet:

Tetë Mostra me shtesa vaj palme në masën 5-10%

1. Gjalpë Conad (1.4594)

2. Djathë mozarella i huaj (1.4595)

3. Gjalpë Lufra (1.4593)

4. Gjalpë Despar (1.4595)

5. Gjalpë President (1.4589)

6. Gjalpë Klegen (1.4595)

7. Gjalpë Burro Bianco Fiore (1.4593)

8. Djath kackavall Klegen (1.4589)

11 Mostra me shtesa vaj palme në masën 20-50%

1. Gjalpë Mireli (1.4599)

2. Gjalpë Klegen (1.4599)

3. Gjalpë Erzeni (1.4599)

4. Spar Gjerman (i super marketit SPAR) (1.4655)

5. Djathë Kaçkavall Gjirofarma (1.4605)

6. Djathë Kaçkavall Lope (ambalazhuar nga KMY) (1.4615)

7. Gjalpë Erzeni i Tretur (1.4603)

8. Gjalpë Soal (1.4639)

9. Gjalpë Extra Milk (1.4626)

10. Gjalpë Ajka (1.4628)

11. Gjalpë Fshati (dyqan bulmeti tek rruga e Kavajës) (1.4604)

Në Ditën Botërore të Ushqyerjes, World Wildlife Fund, u kërkoi konsumatorëve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje produkteve që çojnë në shtëpi, sidomos atyre që në përbërjen e tyre kanë vaj palme. Ndërsa një tjetër studim i Universiteteve të Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë Italiane të Diabetit e lidh atë me sëmundjen e diabetit. Sipas studimit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit, të cilat prodhojnë insulinë. Ai shkakton dëme të pariparueshme në trup.


Ky artikull u botua më parë në Agroweb.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>