Duke përfituar nga publikimi i emrit të një ish-klienti të rëndësishëm të qeverive Berisha, makina gjigande propagandistike e qeverisë po përpiqet ta kanalizojë dhe shfrytëzojë skandalin Panama Papers për të larguar vëmendjen nga problemet e saj dhe për të diskredituar opozitën.
Mediat izraelite zbuluan se biznesmeni Ismail Mulleti është aksioner i kompanisë “offshore”, Glob Fluids International, pronare e GFI Albania, shoqëria që mori, në rrethana të dyshimta dhe me gjasa korruptive, nga qeveria Berisha një monopol shumë fitimprurës për markimin e karburanteve.
Me bërjen publike të emrit të Mulletit mediat e afërta me qeverinë filluan sulmet kundër tij dhe opozitës.
Ndërkohë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave denoncoi në prokurori dhe kjo e fundit filloi menjëherë hetimin për pastrim parash ndaj GFI-së.
Ministri i Financave Ahmetaj, nuk harxhoi fare kohë për të reflektuar mbi situatën, por deklaroi publikisht se ai e dinte që do të dilnin kompani të lidhura me opozitën dhe madje priste edhe të tjera, duke lënë të nënkuptonte se kompanitë “offshore” janë patjetër klinetë vetëm të opozitës.
Pa humbur kohë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani propozoi hartimin e një ligji, si përherë duke kopjuar atë të një vendi tjetër, për të detyruar deklarimin e përfituesve finalë të shoqërive që firmosin kontrata dhe konçesione me shtetin.
Ajo që ministrat Manjani dhe Ahmetaj nuk thonë është se informacioni që kërkojnë, dihet shumë mirë prej tyre: shumë shoqëri konçesionare janë të kontrolluara nga shoqëri “offshore” të regjistruara në vende që nuk shkëmbejnë informacione fiskale dhe të biznesit me Shqipërinë.
Në fakt, si qeveria Berisha edhe qeveria Rama nuk kanë dashur dhe nuk janë përpjekur ndonjëherë për të arritur marrëveshje bilaterale për shkëmbim informacioni. Për më tepër, Shqipëria nuk ka vënë asnjëherë kufizime për përfshirjen e shoqërive “offshore” në kontratat me qeverinë, ashtu si nuk ka bërë asnjë hap për të përmbushur në mënyrë efikase ligjet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.
Sot qeveria po përpiqet që e gjithë vëmendja publike të përqëndrohet tek Ilir Mulleti, klienti ekselent i qeverisë Berisha, por me pak përpjekje vetëm nga informacioni publik në internetit mund të zbulohen shoqëri që kanë nënshkruar me qeverinë Rama dhe që duket sikur janë krijuar enkas për të fshehur përfituesit e vërtetë.
Ja disa raste:
- Në shtator 2015, Ministri i Transporteve Haxhinasto ka firmosur një konçesion për 35 vite për ndërtimin e një porti turistik në Durrës, për një konsorcium shoqërish të përbërë nga një shoqëri shqiptare, një bullgare, dhe një e regjistruar në Ishujt Sejshell, një nga parajsat kryesore fiskale të botës.
- Para pak muajsh, po Ministri i Transporteve ka firmosur konçesionin për ndërtimin e një porti karburantesh në afërsi të Porto Romanos me shoqërinë “Porti MBM”, ku 97 përqind të aksioneve i zotëron një kompani nga Singapori—një parajsë fiskale.
- Shoqëria S.E.R.E që, me leje ndeërtimi të dhënë nga Kryeministri Rama, po ndërton një pallat 13 katësh, në rrugën e Elbasanit, përballë Ekonomikut, kontrolluar nga një shoqëri me administrator shqiptar e regjistruar gjithashtu në Singapor.
- Shoqëria M.POS, me të cilën Ministri i Financave dhe Kryeministri po përpiqen të lidhin një konçesion për platformën e raportimit elektronik të TVSH-së, është e regjistruar në Hong Kong—një parajsë fiskale— dhe është, vetë, në pronësi të një kompanie të regjistruar në Sejshell.
- Shoqëria që bleu para pak muajsh aksionet e Kurum Durrës Shipping sh.p.k konçesionarit të Kantierit Detar të Durrësit është e regjistruar në Delaware, parajsë fiskale në Amerikë.
- Shoqëria që bleu para pak muajsh kompaninë që zotëron Stream Oil, kompania e dytë më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, është gjithashtu e regjistruar në Delaware, por me administrator shqiptar.
- Disa nga kompanitë që kanë fituar liçensa për eksplorim nafte e mineralesh janë kompani të regjistruara “offshore” ose në pronësi të kompanive “offshore”.
- Bankers Petroleum, kompania më e madhe në vend ka pjesë të saj një filial të regjistruar ne ishujt Cayman me të cilin kryen operacione financiare.
- Konçesioni i sterilizimit i firmosur nga Ministri i Shëndetësisë Beqaj ka një nga përfituesit, një ndërtues shqiptar rezident në Itali, por që merr pjesë në konçesion nëpërmjet një shoqërie të regjistruar në Kosovë, mesa duket për të paguar më pak taksa si në Shqipëri ashtu dhe në Itali. Edhe në këtë rast shoqëria kosovare nëpërmjet dividentëve të saj mund të paguaj fatura konsulence ndaj një subjekti të tretë pa e deklaruar në Shqipëri.
Rastet e mësipërme janë vetëm një numër i vogël i rasteve kur individë apo shoqëri tregtare krijojnë vetë apo përfitojnë nga skema ndërkombëtare për shmangien e taksave apo fshehjen e pronësisë dhe pasurive.
Ka gjasa që në mjaft raste këto skema të jenë mburojë e kriminalitetit të organizuar dhe atij politik. Nga këto dukuri nuk janë të imunizuar dhe nuk mund përjashtohen politikanët dhe klientët e asnjërit krah politik. Prandaj qëndrimet e politizuara të qeverisë janë hipokrizi dhe ogur i keq për luftën kundër evazionit, korrupsionit dhe pastrimit të parave në nivele të larta.