Hipokrizia për suksesin e ngritjes së SPAK

Nga Andi Bushati
Hipokrizia për suksesin e ngritjes së SPAK

Një entusiazëm hipokrit dhe një gëzim i shtirë po shoqëron ngritjen e institucionit, që prej tre vitesh e gjysëm na e kanë shitur si gurin e themelit për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri: SPAK.

Presidenti i Republikës i organizoi një ceremoni madhështore trupës së sakatuar të prokurorëve që u betua sot para tij. Ambasada Amerikane nxitoi të përshëndesë hyrjen e demokracisë në një shkallë të re, që i jep fund pandëshkueshmërisë. Luigi Soreca, nënvizoi një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të reformës në drejtësi.

Kulmi arriti me deklaratën e PD-së, e cila megjithëse dihet se ç’mendon për telendisjen e kësaj reforme, nën kompleksin e propagandës së kundërshtarëve që e akuzojnë se i trembet SPAK-ut, u detyrua ta përshëndesë atë si një shanc real për të kuftuar korrupsionin në nivel të lartë dhe krimin e organizuar.

Pra, ceremonia e ngritjes së SPAK po u shitet sot shqiptarëve nga të gjitha anët si historia e një suksesi të paravendosur.

Por a është kështu?

Qoftë po të shohësh peripecitë për ngritjen e këtj institucioni, qoftë po të hamendësosh për atë ç’ka e pret në të ardhmen, është e vështirë të besosh tek kjo përrallë.

Le t’i marrim me radhë.

Sipas dispozitave kalimtare kushtetuese, të miratuara në verën e vitit 2016, SPAK duhej të qe gati brenda shkurtit të 2017, ose dy muaj pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pra, që në këtë pikë, ai është me dy vjet e gjysëm vonesë.

Kush e prodhoi këtë zvarritje?

Të jemi të sigurtë: fajtorë për të nuk janë as fryma e shenjtë dhe as ndonjë fatkeqësi natyrore. Ajo lidhet drejtpërdrejt me njerëzit dhe me ata që pilotuan reformën në drejtësi. Qe pikërisht ky vullnet njerëzor që i shndërroi në karagjozë dy ish ambasadorët Lu dhe Vlahutin, që kanë deklaruar mbi pesë herë secili se SPAK është në prag të formimit. Ata i kanë thënë lamtumirë me kohë Shqipërisë por ky institucion, edhe sot që u konstitua, ka lindur në shkelje të kushtetutës.

Ligji themeltar i vendit, përkatësisht 148/dh(2) parashikon se Prokuroria e Posaçme nuk mund të ngrihet me më pak sesa 10 anëtarë. E ndërgjegjshme për këtë shkelje, KLP, ruajti formulën se ajo nuk po krijonte institucionin, por thjeshtë po përzgjidhte anëtarët e tij. Socialisti Ulsi Manja shkoi edhe më tej duke propozuar formulën e Arta Markut, me prokurorë të përkohshëm. Por në fund, pas tre vitesh e gjysëm dhe vetëm mes 27 konkurentësh të paraqitur në garë, SPAK u ngrit në mënyrë anti- kushtetuese vetëm me tetë anëtarë (dy më pak se numri minimal që pranon kushtetuta).

Për këtë numër të cunguar, ekzistojnë hije të forta dyshimi, se janë penguar të depërtojnë profesionistë që i prishin punë qeverisë dhe personalisht Edi Ramës. Exit.al ka publikuar një investigim shterrues, se si një prokuror, i sulmuar verbalisht nga kryeministri, që hetoi çështjen e Saimir Tahirit, të cilit masha e tij Arta Marku, i hoqi nga dora dosjet e vjedhjes së votave në Durrës e Dibër, po pengohet me të gjithë mënyrat që të bëhet pjesë e SPAK (lexo këu).

Po cila është ajo dorë e fshehtë që e pengoi kaq gjatë ngritjen e prokurorisë së posaçme, që pranoi konsituimin antikushtetues të saj, që frenoi depërtimin e atyre njerëzve që mund t’i hapnin andrralla qeverisë?

Përgjigjja është e thjeshtë: është e njëjta që do ta minojë këtë “institucion të sukseshëm” të bëjë drejtësi në të ardhmen.

E këtu hyjmë në një sferë tjetër, akoma edhe më të errët, që lidhet me funksionimin e nesërm të këtij institucioni. Sepse në kushtet që jemi, kur parlamenti është shndërruarr në harremin e një sulltani të vetëm, ku pushteti lokal është i lyer me një ngjyrë, ku kreu i shtetit është në procedrë shkarkimi, ku mediat do mbyllen, gjobiten dhe kontrollohen nga njerëz që kanë dalë drejtpërsëdrejti nga paradhoma e kryeministrit, pra në kushtet e instalimit të një regjimi, të besosh se 8 UFO nga SPAK do të bëjnë çudinë është thjeshtë marrëzi. Historia e njerëzimit nuk njeh asnjë rast të ngjashëm, kur errësira e një diktature personale të bashkëjetojë me pole të tilla utopike lirie dhe drejtësie.

Natyrisht e di se kurdoherë që ngrihet kjo çështje logjike, optimistët e pandreqshëm, që e kanë vënë trurin në gjumë dhe kanë vendosur të besojnë tek profetët e tyre të rinj, të përgjigjen se mrekullia do të ndodhë pasi e kanë vendosur amerikanët dhe perëndimorët. Të bombarduar me propagandën dhe videot e shpërndara nga selia e rrugës së Elbasanit (poshtë) ata besojnë se drejtësia do t’u bjerë nga lart si një dhuratë hyjnore.

Por edhe ky religjon i ri është një marrëzi.

Çfarë është Reforma në Drejtësi – SPAK

🇦🇱️ | Në videon e kaluar, mësuat mbi Gjykatën Kushtetuese. Këtë javë, do të flasim për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK. Pse nevojitet SPAK dhe si do t’i ndjekë penalisht ky institucion rastet e korrupsionit në nivelet më të larta? Mësoni se si SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë, duke përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë. #CfareEshteReformaNeDrejtesi #NdalKorrupsionit🇺🇸️ | In our previous video, you learned about the Constitutional Court. This week, we will talk about the Special Structure Against Corruption and Organized Crime, or SPAK for short. Why do we need the SPAK and how will this institution prosecute cases of corruption at the highest levels? Learn how SPAK will be an independent, non-politicized body that will investigate and prosecute all the “untouchables” of Albania, including current and former high-level officials. #WhatisJusticeReform #StopCorruption

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Montag, 19. August 2019

Sepse dy vitet e fundit, që kur instalimi i regjimit ka përparuar ditë pas dite, na kanë dëshmuar se ndërkombëtarët nga arbitra të së vërtetës, nga kryqtarë të drejtësisë, shndërrohen në rastin më të mirë në negociatorë të zbutjes së diktatorit. Se ata më shumë sesa për rikthimin e rendit demokratik, preokupohen për mosgrisjen e maskës së tij.

Pikërisht për këtë, pa u rkikthyer në binarët normalë, pa ripasur një sistem minimalisht funksional, me parlament, pushtet lokal, media dhe institucione që jetojnë në mënyrë demokratike, as SPAK as BKH dhe as fantazmat e të huajve që ne shohim pas tyre, nuk munden kurrësesi të kenë sukses. Cilido që tregon një përrallë të kundërt është duke mashtruar.

Dhe aq më i rëndë bëhet ky mashtrim, kur atë e predikojnë ata që nuk e besojnë as vetë.


Publikuar më parë tek Lapsi.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>