Prej 5 vitesh luftë nuk luan në stadiumin e saj, historia e një prej skuadrave më të forta në Evropë

Nga Erblin Vukaj
Prej 5 vitesh luftë nuk luan në stadiumin e saj, historia e një prej skuadrave më të forta në Evropë

UEFA e konsideron si një prej 20 skuadrave më të forta të Evropës, por prej 5 vitesh Shakhtar Donetsk nuk luan në stadiumin e saj për shkak të një konflikti që deri më sot i ka marrë jetën 13 mijë njerëzve dhe ka shpërngulur 1,3 milionë të tjerë nga shtëpitë e tyre.

Lufta në Ukrainë nisi pikërisht në Donetsk në prill të vitit 2014. Qyteti lindor dhe kufitar me Rusinë bën pjesë në rajonin e Donbasit, atje ku separatistë të armatosur pro-rusë trazuan zonën duke vetëshpallur Republikën Popullore të Donetskut (RPD).

Ukraina ka akuzuar Rusinë se i armatosi dhe dërgoi ushtarë në ndihmë të tyre. Moska ka pranuar vetëm që “vullnetarë po luftojnë krah rebelëve”.

Më 2 maj 2014, në stadiumin e lavdishëm prej 50,000 spektatorësh të Shakhtarit, Donbas Arena, u festua titulli i pestë radhazi kampion i Ukrainës.

Dy ditë më vonë, rebelët pro-rusë ngritën flamurin e RPD-ës mbi drejtorinë e policisë së qytetit, trazirat përfshinë gjithë vendin dhe përshkallëzuan në konflikt të armatosur. Kjo vinte një muaj pasi Rusia kishte aneksuar Krimenë.

Kështu prej 5 vitesh, e ashtuquajtur skuadra e minatorëve, është larguar nga qyteti dhe nuk luan më në Donbass Arena, por mbi 240 kilometra larg në perëndim, në Kharkiv.

Atje do të luhet edhe përballja e radhës në Champions League kundër Manchester City-it më 18 shtator.

Shakhtari zotërohet nga oligarku ukrainas, Rinat Akhmetov, i cili konsiderohet një nga më të pasurit në Ukrainë me një pasuri prej rreth 6 miliardë dollarësh.

Gjatë luftës ai ka bërë shpesh thirrje për zgjidhje paqësore të konfliktit, ndërsa ka financuar dhjetëra shoqata për të ndihmuar të lënduarit dhe të shpërngulurit e Donetskut.

Stadiumi i Shakhtarit ditët e sotme, i dëmtuar nga trazirat dhe i pasigurt për të mundësuar ndeshje ndërkombëtare.

Konflikti ndikoi gjithashtu në aspektet sportive. Politika dhe ekstremizmi nacionalist u përfshinë edhe me futbollin.

Në vitin 2017 Federata Ukrainase vendosi që 18 skuadrat e kampionatit, përpara ndeshjeve, të vishnin fanella që përmbanin slogane lavdëruese për veteranët e luftës. Shakhtari ishte skuadra e vetme që nuk i veshi dhe nxiti reagimet e ashpra të ukrainasve.

Ndërkohë mbrojtësi i saj, Yaroslav Rakitskiy, me origjinë nga Donbasi, refuzoi të këndonte himnin ukrainas gjatë ndeshjeve të kombëtares.

Kjo gjë shkaktoi një valë kontestimesh. Rakitskiy, lojtar i Shakhtarit që në skuadrat zinxhire, u hoq nga kombëtarja dhe në fund të vitit kaloi te Zenit St. Petersburg në Rusi. Kjo skuadër zotërohet nga kompania shtetërore ruse Gazprom dhe për këtë lëvizje Rakitskiy është etiketuar tradhtar.

Ai nuk grumbullohet më në kombëtaren ukrainase dhe konsiderohet pro-separatist, njëjtë si ish-lojtarët e vjetër të Shakhtarit, Viktor Zvyahinstev, Yriy Dehteryov dhe Ihor Petrov.

Në 20 vitet e fundit, Shakhtari u ngrit papritur në historinë e futbollit ukrainas duke eklipsuar një prej skuadrave më legjendare, Dinamon e Kievit.

Prej vitit 2002 Shakhtari ka fituar 12 tituj dhe ka marrë pjesë rregullisht në Champions League. Ky sukses i faturohet oligarkut Akhmetov, i cili mori në zotërim klubin kur ish-Presidenti Akhat Bragin u vra pas një atentati me bombë në vitin 1995.

Prej asaj kohe, Akhmetov ka investuar qindra milionë dollarë. Projekti i tij ishte për ndërkombëtarizimin e skuadrës, tejkalimin e ndasive etnike dhe Dinamos si klubi më i suksesshëm në Ukrainë.

Pjesë e investimeve qe edhe stadiumi 400 milionë dollarësh, Donbas Arena, në të cilin u luajt edhe në Evropianin e vitit 2012.

Prej vitit 2002, trajnerë të huaj si Nevio Scala, Mircea Lucescu dhe Paulo Fonseca kanë drejtuar skuadrën, ndërsa yjet e saj kanë qenë kryesisht brazilianë Douglas Costa (Juventus), Fernandinho (Manchester City) dhe Willian (Chelsea) janë disa ndër më të njohurit të dalë nga kjo skuadër.

– Përkthyer me shkurtime nga BBC.


Sot, pas 5 vitesh konflikt, Ukraina dhe Rusia shkëmbyen 35 të burgosur, veprim që u cilësua nga ndërkombëtarët si hap drejt arritjes së paqes.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>