Kandidati i LDK për kryeministër Avdullah Hoti komentoi të mërkurën vendimin e KQZ për të përjashtuar nga gara 47 kandidatë, duke thënë se deputetët duhet të jenë me integritet të lartë.
“Besoj që të gjithë duhet të trajtohen njësoj pavarësisht kush janë ata persona. ligji është i njëjtë për të gjithë, të gjithëve do t’iu nënshtrohen rregullave edhe duhet kujdesi me qenë që listat zgjedhore janë njerëz me integritet, njerëz që e respektojnë ligjin, sepse nesër duhet t’i përfaqësojnë qytetarët në institucionet e vendit”, tha Hoti pas një takimi, që pati me bizneset në Shtërpcë.
Mesditën e së mërkurës KQZ-ja e Kosovës njoftoi se 47 kandidatë për deputetë nga 1,079 kandidatë në listat e partive nuk janë të përshtatshëm për të kandiduar.
Mes tyre thuhet se është edhe emri i kandidati për kryeministër nga LVV Albin Kurti, i cili e ka mohuar të ketë marrë një shkresë zyrtare nga KQZ.
Sipas ligjit, ata persona që janë dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet.