Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti njoftoi të mërkurën se qeveria do të nisë hartimin e një progami që do të bëjë të mundur zbatimin e marrëveshjes nënshkruar në 4 shtator në Uashington me Serbinë.
Pas mbledhjes së qeverisë, Hoti sqaroi për median aspektet kyçe ekonomike dhe politike të marrëveshjes në Uashington.
Aspekti ekonomik ka të bëjë me projektet infrastrukturore, që në total shkojnë në një miliard dollarë investime, e që përfshijnë: autostradën Prishtinë-Merdare, hekurudhën Prishtinë-Merdare, studimin e fizibilitetit për hekurudhën që e lidh Prishtinën me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, termocentrale me gaz dhe rrjetin e shpërndarjes së gazit në Kosovë.
Sipas Hotit, Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që këto projekte të fillojnë të zbatohen menjëherë, ndaj duhet përgatitur sa më parë një program konkret.
Ndërsa për sa i përket aspektit politik, Hoti tha se pika kryesore e marrëveshjes është njohja nga shteti i Izraelit.
“Kjo marrëveshje e forcon sovranitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, u shpreh Hoti, duke shtuar se ka marrë garancinga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu për njohjen e pavarësisë së Kosovës.