Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka kërkuar të mërkurën nga Serbia që ajo të kërkojë falje për krimet e luftës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, 9 dhjetor, Hoti përkujtoi të zhdukurit gjatë luftës së Kosovës.
Ai theksoi se kërkimi i faljes nga ana e Serbisë, përveç se akt moral, është kusht elementar për mirëkuptimin mes dy shteteve.
“Po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, u shpreh kryeminsitri.
Teksa përkujtoi viktimat e luftës, Hoti theksoi se gjithë bota e di çfarë ka ndodhur në Kosovë, i di krimet dhe gjenocidin e kryer dhe se kush ishte agresori e kush viktima.
Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, Serbia vrau mbi 12 mijë shqiptarë e të tjerë, 1.300 prej të cilëve ishin fëmijë, dëboi nga vendi mbi një milionë banorë të Kosovës, përdhunoi mbi 20.000 gra, dhe mbi 1,600 persona janë ende të zhdukur.