Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti ka premtuar se qeveria e tij do të kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi.
Në nisje të seancës së Kuvendit ku dhe u miratua qeveria e re, Hoti u shpreh:
“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme.
Prioritet do të jetë edhe marrja e përgjegjësive për të çuar procesin e dialogut në bashkëpunim me BE e SHBA, duke mos lejuar ndryshim territori e shkëmbim territorit.”
Kuvendi i Kosovës miratoi sot me 61 vota qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në koalicion e ri qeverisës janë LDK-ja e Isa Mustafës, AAK-ja e Ramush Haradinajt, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, Lista Serbe dhe parti të tjera të vogla.
Bie në sy mungesa në koalicion e partisë së Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e re (AKR).