Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se takimi i 27 qershorit në Uashington, me Serbinë, do ta kthejë Kosovënë “në qendër të aktivitetit ekonomik në rajon”.
Hoti tha qeveria po përgatit ide lidhur me disa projekte infrastrukturore, qe do të mund të prezantohen në Uashington.
“Presim të rifillojmë procesin e dialogut. Fokusi siç është bërë e ditur nga zyrtarë të administratës amerikane do të jetë në bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve. Tani, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe kabinetit qeveritar jemi duke i zhvilluar idetë tona, projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë komplet peizazhin ekonomik në Kosovë dhe në krejt rajonin. Janë disa projekte që unë besoj që për një periudhë afatmesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në nivel të rajonit”, tha Hoti pas një vizite në Komunën e Pejës, raporon Radio Europa e Lirë.
Takimi i 27 qershorit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington u thirr nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për të rinisur bisedimet Kosovë- Serbi.
Kosova dhe Serbia takohen pas një ndërprerje të gjatë të procesit të dialogut, për shkak të vendosjes së një takse nga Prishtina zyrtare ndaj mallrave të Serbisë, në fund të vitit 2018. Kjo taksë u zëvendësua me masë të reciprocitetit, por Qeveria Hoti shfuqizoi reciprocitetin për t’i dhënë shans rifillimit të dialogut.