Ragip Hajdini, një prej të dyshuarve për grabitjen e 9 prillit në Rinas, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.
I njohur dhe me nofkën ‘Daja’ nga Kosova, Hajdini vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ai ishte arrestuar për grabitjen e mbi 6,6 milionë eurove në Rinas, në 9 prill 2019. Grabitja ndodhi në pistën e fluturimit, teksa punonjësit ishin duke transportuar valixhet në avionin e kompanisë Austrian Airlines, që do të fluturonte drejt Vienës në orën 15:05. Ngjarja ndodhi pak minuta përpara se avioni të nisej.
Për këtë ngjarje, përveç Hajdinit janë arrestuar dhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Alkond Bengasi, Oltion Veseli, Elton Pikli, Saimir Çela, Renaldo Sula, ndërsa Admir Murataj, që mendohet si kryeorganizatori i grabitjes, u vra nga policia gjatë grabitjes.
Policia është ende në kërkim të Talo Çelës.