Humbja e nuhatjes mund të jetë ndër shenjat e para të koronavirusit

Nga Exit News
Humbja e nuhatjes mund të jetë ndër shenjat e para të koronavirusit

Anosmia, humbja e të nuhaturit dhe agresia, zvogëlimi i të shijuarit, janë raportuar nga pacientë të ndryshëm si shenja karakteristike treguese të prezencës së Covid-19 në organizëm.

Sipas gazetës amerikane Nju Jork Times, mjekët britanikë ORL, duke cituar raportet nga kolegë në të gjithë botën, i kanë kërkuar publikisht të rriturve që humbasin shqisën e nuhatjes të izolohen për shtatë ditë, edhe nëse nuk kanë simptoma të tjera, për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjes. Të dhënat e publikuara janë të pakta, por mjekët kanë paralajmëruar publikun për këtë.

“Ne kërkojmë të rrisim vetëdijen se kjo është një shenjë e infeksionit dhe se kushdo që zhvillon humbje të të nuhaturit duhet të izolohet,” shkroi Prof. Claire Hopkins, presidente e Shoqatës Britanike Rhinologjike, nëpërmjet një emaili. “Kjo mund të kontribuojë në ngadalësimin e përhapjes dhe të shpëtojë jetë.”

Në Britani, një nënë e infektuar me koronavirus i tha mjekëve se nuk mund të nuhaste pelenën e ndotur të foshnjës së saj. Kuzhinierët që zakonisht mund të dallojnë çdo erzë në një pjatë restoranti nëpërmjet nuhatjes, nuk kanë mundur të nuhasin kerrin ose hudhrën dhe kanë humbur shqisën e të shijuarit të ushqimeve. Të tjerë thonë se nuk kanë mundur të nuhasin aromën e ëmbël të shampos ose erëra më të forta.

Mjekët britanikë cituan raporte nga vendet e tjera që tregojnë se një numër i konsiderueshëm pacientësh me koronavirus përjetuan anosminë, duke thënë se në Korenë e Jugut, ku testimi i popullsisë është kryer në masë, 30 përqind e 2,000 pacientëve të infektuar kanë raportuar se kishin humbur të nuhaturit (pacientët kishin simptoma të buta të virusit).

Akademia Amerikane e Otolaringologjisë, po ashtu, postoi informacione në faqen e saj të internetit të cilat tregonin se zvogëlimi apo humbja e nuhatjes dhe shijes janë simptoma të Covid-19, dhe se ato janë vërejtur tek pacientë që janë testuar pozitiv pa simptoma të tjera.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>