Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së Hysni Gucati u vetëdeklarua i pafajshëm, të premten, gjatë seancës paraprake para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
“Unë Hysni Gucati dhe bashkëluftëtarët e mi e kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur me 3 qershor të vitit 1999 dhe sot jam invalid i luftës të UÇK-së. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi në pafajshëm, unë kam të drejtën e lirisë dhe të shprehjes dhe të drejtën t’i shpreh mendimet e mia”, u shpreh Gucati gjatë seancës.
Gucati, së bashku me zëvendësin e tij Nasim Haradinaj, akuzohet për pengim të drejtësisë dhe zbulimin e paautorizuar të të informacionit të mbrojtur, përfshirë këtu dhe detajet identifikuese të dëshmitarëve të mundshëm.
Gjatë periudhës prill-shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj akuzohen se kanë bërë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorisë Speciale dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ‘gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë’.
Akuzat ndaj tij u bazuan në tre konferenca për shtyp të mbajtura nga OVL e UÇK-së, ku Gucati nuk ka ndërhyrë për të ndalur publikimin e emrave dhe të dhënave të banimit të dëshmitarëve të gjyqeve në Hagë, kundër drejtuesve të UÇK-së. Në këto konferenca shtypi, këta individë i janë ekspozuar rrezikut potencial për sigurinë e tyre.
“Në lidhje me të gjitha akuzat që më janë lexuar, unë ndihem i pafajshëm. Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha akuzat,” tha Gucati për gjykatën me bazë në Hagë.
Ai theksoi se ai ka të drejtën e lirisë së shprehjes.
“Dhe e drejta për të shprehur mendimet e mia, është e drejta ime që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe unë do të vazhdoj t’i mbroj këto vlera deri në fund,” u shpreh ai.
Gucati kujtoi se ai u plagos më 3 qershor 1999 ndërsa, duke shtoi se ai “dhe shokët e [të luftës] kemi mbrojtur pragjet e shtëpive tona dhe atdheut tonë”.
Gucati u arrestua më 25 shtator dhe që prej asaj kohë ndodhet në Hagë.