“Pronari i Detit” dhe disa konsiderata të tjera mbi pronësinë—Pjesa I: Aspekti sociologjik

“Pronari i Detit” dhe disa konsiderata të tjera mbi pronësinë—Pjesa I: Aspekti sociologjik

Para disa ditësh, një e përditshme e Tiranës përcolli një lajm interesant. Një çift, në ditën e dasmës, kishte shkuar në Kallm, në bregdetin e Durrësit, për të bërë fotografitë dhe videoklipin e dasmës, por ata nuk u lejuan nga një personazh lokal, i cili u tha se ishte i pronari i bregut dhe ata duhet të paguanin nëse donin të bënin foto me detin në sfond. Gazeta e titullonte artikullin “Në Kallm del pronari i detit”.

Leximi i këtij lajmi, në vetvete të parëndësishëm, më ngjalli një lumë kujtimesh, situatash të jetuara, provokimesh, reflektimesh, madje edhe në kundërshti me njëra tjetrën, të cilat po i përmbledh shkurtazi.

Trauma e pandreqshme

Imazhi i një njeriu të fortë dhe energjik, me pak vite shkollë, që frikëson një çift të ri të sapomartuar, duke u mburrur me të drejtat imagjinare mbi një pronë publike është një deja vu mizore, që më kaloi para sysh, si në një film, historinë e falimentimit të tranzicionit shqiptar: një çerek shekulli abuzime, dyndje, zaptime, kërcënime, gërthitje, arrogancë, debate pafund, avokatë të paaftë, marifete mashtruese, ditë dhe javë të humbura kot, sipërmarrje dhe shpresa të shkatërruara.

Të gjitha me të njejtën çështje në themel të tyre: përdorimin apo sigurimin e pronës, tënde apo të dikujt tjetër, dhe të të drejtave të lidhura me të, të konceptuara në mënyrë lakmitare dhe të zbatuara njëanshmërisht nga pretendues të dhunshëm të të drejtave, të pakushtëzuar fare nga ligjet e shkruara apo nga mirësjellja njerëzore. E gjitha, e fryrë nga mospërputhja midis vlerës të pronës së paluajtshme, gjithmonë shumë të larta, dhe kostos se kohës, praktikisht zero për ata që nuk kishin asgjë për të humbur.

Praktikisht çdo shqiptar në këto vite të tranzicionit të pafund ka pasur, ose më saktë ka vuajtur, një histori të konfliktit mbi pronën, me komshijtë, me të afërmit, me kolegët e vjetër të punës, me fallsifikatorët e dokumentave, me shtetin dhe zyrtarët e tij të paaftë për të mbrojtur të drejtën e pronës, por gjithmonë të aftë për të prodhuar një dokument të papërshtatshëm në favor të torturuesit të radhës.

Kjo ka shkaktuar trauma të pandreqshme në pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare, dhe ndjenja e pasigurisë e provokuar nga një diktaturë e gjatë dhe e sëmurë shkoi për të zbatuar nën një pasiguri të plotë dhe të thellë pikërisht atë që ishte simboli i të drejtave të mohura nga diktatura: pronën private. Frika e shkeljes së kësaj të drejte krijoi menjëherë profesione të reja dhe mundësi të reja biznesi, që nga rojet që ruanin (më shumë flinin) fushat e pafundme të pabanuara, tek montuesit e portave të blinduara dhe të hekurta, të cilat mbërritën shumë kohë më para se sa grabitjet e shtëpive të bëheshin rrezik i vërtetë.

Dikush ama marshoi dhe përmes mashtrimeve zyrtare, pretendimin për të drejta imagjinare e ktheu në profesion shumë fitimprurës, në metodë, si ajo e pronarit të detit.

Hakmarrje të egër apo dorëzim?

Reagimi im i parë i zemëruar pas leximit të lajmit ishte një dëshirë e pashëndetshme për dënim fizike, sterilizim të gjithë rracës të atyre si pronari i detit, përjashtim të përhershëm të tyre nga e drejta për të zotëruar çfarëdo gjëje, por më pas komentet më pak të qeta të miqve të mi shqiptarë më bënë të shihja sa normale është bërë ajo që ndjeva unë: kjo dukuri quhet varësi ndaj dhunës si strategji mbrojtëse, pikërisht për të mos u çmendur.

Deti është i Zotit

Deti historikisht është kuptuar si i të gjithëve, maksimumi, si pronësi e shtetit. Duke qenë (thuajse gjithmonë) edhe kufi i vendit si dhe për shkak të formës së tij të lëngët dhe të paqëndrueshme, nuk ka lejuar asnjëherë të konsiderohet si një gjë që mund të zotërohet, që mund të jetë e dikujt.

Deti është nga hera, dhe për të gjithë, sinonim i lirisë, i të pafundmes, i të panjohurës, koncepte që nuk martohen lehtë me konceptin e pronësisë private.

Vetëm një fshatar pa interesa, meskin, i vrazhdë, injorant dhe arrogant, i fiksuar skajshmërisht me ndjenjën e pronës, mund të mendojë që deti është i tij.

Ndjenja e pronësisë si sëmundje shoqërore

Nga fundi i komunizmit i gjithë populli shqiptar u lëshua në një turravrap të çmendur drejt pronës private, e kuptuar nga shumëkush si rimarrje e të drejtave të shtypura padrejtësisht nga komunizmi, por për shumë të tjerë e kthyer në një fiksim të vërtet.

Të kesh në pronësi diçka, dhe më pas të fantazosh se ajo vlen gjithmonë e më shumë është kthyer në një lloj sëmundje shoqërore që po e çon vendin në një pikë moskthimi.

Uria për pronë ka çuar në prodhimin e një pafundësie dokumentesh fallso, korrupsioni në çdo nivel, vendime të blera, akte trashëgimie të fallsifikuara dhe çdo lloj mashtrimi që mund të përfytyrohet, të cilat në një mjedis ligjesh të keqmenduara dhe të zbatuara akoma dhe më keq kanë krijuar të gjitha llojet e konflikteve të mundshme, të cilat jo rrallë kanë degjeneruar në dhunë dhe gjakderdhje.

Në mendjet më të dobta dhe në trupat më të fortë, uria për pronësi ka prodhuar shpesh prirje si ajo e pronarit të detit, në delirin gjithnjë e në rritje se “çdo gjë është e imja, e imja”, shpesh pa asnjë bazë ligjore, por që kanë qenë shkaku i braktisjes së investimeve, vendase apo të huaja.

Besueshmëria e ulët e dokumentave të kadastrave, dhe kufijtë e paqartë të pronave, shpesh kanë shtyrë, kanë bërë që ata që donin të ishin pronarë ta mbronin fizikisht titullin duke e rrethuar pronën me mure të larta ose duke ndërtuar godina të kota për të vërtetuar titullin e pronësisë përndryshe të sulmueshëm dhe të pasigurt.

Kriminelët kryesorë shqiptarë janë specializuar në çështje të pronësisë, qoftë duke u ofruar si forcë “bindëse” për të larguar pretendentët e tjerë, qoftë si dorë e armatosur e aftë për të bindur gjykatësit ose anëtarët e komisioneve të kthimit të pronave të konfiskuara nga komunizmi.

Të kesh apo të jesh?

Mendoni “pronarin e detit” dhe do të kujtoni të paktën për një moment sociologun e të majtës me emrin Erik From, dhe analizën e tij të rëndësishme të diferencës ndërmjet “të kesh” ose “të jesh”, si mënyra të ndryshme të zhvillimit të ekzistencës vetjake, ose më thjeshtë, si dy mënyra alternative në kërkim të lumturisë.

Nuk ka qeveri të majtë që të rezistojë, përgjigjia sot në Shqipëri është vetëm një, në kor dhe e pashmagshme: të kesh është gjithçka, nëse nuk ke ndonjë gjë, nuk je burrë, dhe kërkimi ose mbrojtja e pronës në vetvete justifikon çdo mjet, çdo sjellje, çdo veprim.

Vetëm ekzekutimi i kohëve të fundit i hipotekave bankare, jo rastësisht e ndaluar për shumë vite nga i gjithë sistemi gjyqësor shqiptar, po e “vaksinon” sistemin nga siguria e kristaltë mbi pushtetitn e pakufizuar të pronës, madje edhe duke hapur plagë shoqërore të vështira për t’u rimbyllur.

Hipoteka gojore: të gjithë bejlerë

Në vitet 1930-të, në Shqipëri pronësia mbi tokën ishte kryesisht në dorë të një numri të vogël familjesh të mëdha pronare tokash që kontrollonin secila prona prej mijëra hektarësh, dhe që supozohej se u ishte dhënë si dhuratë për ndonjë titull fisnikërie në kohën e Perandorisë Osmane.

Këto familje ishin protagoniste të jetës politike dhe pashmangëshmërisht u akuzuan si bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe u shpronësuan nga çdo e mirë prej regjimit komunist. Por shumë prej tyre u arratisën jashtë vendit ku mund të mbështeteshin në të tjera prona dhe të tjera garanci.

Pas rënies të komunizmit, pasardhësit e këtyre familjeve, duke përdorur edhe burimet e tyre financiare të dërguara nga jashtë, filluan punën për të rimarrë pronat që komunizmi ua kishte marrë, por ndërkohë kishin kaluar 50 vjet dhe pasardhësit e tyre ishin rritur në numër si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.

Kështu një dyzinë familjesh të mëdha pronarësh u kthyen në mijëra pretendentë—çdo njëri prej të cilëve paraqiste kërkesën e vet për disa mijëra hektarë toke, në mos për të gjithë pasurinë.

Ligji i atëhershëm e kufizonte të drejtën për kthimin e tokës bujqësore nga disa mijëra hektarë në disa qindra metra katrorë për familje, por shpejt rrëmuja u bë mbret dhe një sërë aktesh e prishën procesin e kthimit, shpesh duke dëmtuar të drejtat e disave në kurriz të disa të tjerëve.

Abuzimet, pasaktësitë, mbivendosjet e kufijve, zhvendosjet e referencave kadastrale, paraqitja në gjykatë e akteve të vjetra të pronësisë, qofshin edhe të vërteta, por të tjetërsuara nga veprime të tjera të cilat pretenduesit i kishin “harruar”, krijuan një ndjenjë të përhapur në mos mbisunduese të padrejtësisë, që solli si rezultat përkeqësimin e mëtejshëm të “urisë për pronë”.

Pasurimi i shpejtë, kryesisht i pataksuar, i atyre që kishin mundur të siguronin tituj pronësie në rrethinat e Tiranës, që u kthyen në parajsë ndërtimore, bëri pjesën tjetër, duke krijuar mitin urban, që nuk mund të çrrënjoset e aq më pak të përmbahet: tokë bujqësore do të thotë pasurim të pakufijshëm dhe të ardhura të sigurta.

“Pronari” nuk punon, vetëm kontrollon (dhe mbron) pronën e tij, e ndoshta e zmadhon pronën, duke shtyrë më tutje kufijtë, njësoj si pronari i detit.

___________

Vazhdimi i reflektimit vijon në ditët e ardhshme

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>