IASDA: një histori e dyshimtë e ndihmës italiane për Shqipërinë

Nga Karl Kuçi
IASDA: një histori e dyshimtë e ndihmës italiane për Shqipërinë

IADSA është një bashkim gërmash për “Italian Albanian Debt Swap Agreement” (Marrëveshja Italo-Shqiptare për Shkëmbimin e Borxhit) —një marrëveshje për kanalizimin e borxhit ende të papaguar të Shqipërisë ndaj Italisë në mbështetje për zhvillimin e Shqipërisë.

Shqipëria, e cila i ka borxh Italisë për shkak të kredive dypalëshe të marra në të shkuarën, në vend që t’i kthejë shtetit italian këstet e papaguara, do të financojë me to projekte të vogla të bashkëpunimit italo-shqiptar në sektorë të ndryshëm të dakordësuar ndërmjet dy qeverive.

Që në emrin e marrëveshjes lind pyetja: marrëveshja “shkëmbim hauje”, po ku është shkëmbimi? Shkëmbim do të thotë të marrësh diçka e të japeësh diçka tjetër në këmbim, por në këtë rast është e vështirë të kuptosh “aktin reciprok”—pra, Italia heq dorë nga marrja e kësteve, me një kusht, që qeveria shqiptare t’i shpenzojë këto para në marrëveshje me të, nën një farë vëzhgimi të zyrtarëve italianë, për të krijuar projekte zhvillimi në Shqipëri, me shpresën se ato do hapin vende pune për italianët.

Në të vërtetë, sipas rregullave të marrëveshjes vetëm institucionet publike shqiptare mund të bëjnë kërkese për financim, ndërsa ofrues të asistencës apo njohurive teknike në projektet e kërkuara mund të jenë vetëm dy lloje organizatash: njësitë lokale apo rajonale italiane—pra funksionarë që paguhen një herë nga taksapaguesit italianë; dhe organizata joqeveritare, përfshi edhe ato shqiptare.

Si funksionon IADSA?

Për çdo thirrje për aplikim, një zyrë e veçantë e Bashkëpunimit Italian (Cooperazione Italia) përcakton shumën maksimale që do të financohet dhe institucionet publike që mund të aplikojnë. Propozimet në fakt peërgatiten nga ndërmjetësit “e duhur” italianë, kryesisht institucionet publike apo OJQ-të italiane që veprojnë në Shqipëri, edhe pse paraqiten zyrtarisht nga institucionet publike shqiptare.

Vlerësimi bëhet nga një komision i përbashkët ndërmjet Ambasadës Italiane dhe qeverisë shqiptare. Pas vlerësimit të propozimeve, afishohet një lajmërim me të gjithë projektet fituese, të cilët kanë një afat kohor prej dy vjetësh për t’u realizuar. E njejta zyrë ka edhe detyrën për të monitoruar mbarëvajtjen e projekteve, por nuk jep asnjë të dhënë publike në lidhje me mbarëvatjen e tyre.

Komisioni i vlerësimit përbëhet nga ambasadori italian dhe nga ministri shqiptar i financave, ndërsa Njesia e Mbështetjes Teknike (TSU) përbëhet nga dy bashkëdrejtues të zgjedhur nga palët; njëri përfaqëson interesat e qeverisë italiane dhe tjetri ato të qeverisë shqiptare, si dhe tre punonjës të tjerë, një financier, një sekretare dhe një logjistikë.

Bashkëdrejtori shqiptar i zyrës së mbështetjes teknike të IADSA-së është Zoti Ismail Ademi, ish-këshilltar i Zyrës së Cooperazione Italiane në Tiranë. Zoto Ademi është me origjinë shqiptare, por me pasaportë italiane, i shkolluar në Itali. Në zgjedhjet parlamentare italiane të vitit 2013, ai u propozua fillimisht por nuk arriti dot të përfshihej në listat finale të kandidatëve të Partisë Demokratike të Italisë (PDI).

Zoti Ademi njihet më shumë për rolin e tij si sekretar i Rrethit të Tiranës të Partisë Demokratike Italiane (PDI-ja ka organziata të saj edhe jashtë Italisë), ndërkohë që dihet dëshira e tij për të qenë pjesë e listave të PDI në zgjedhjet e ardhshme rajonale në Lombardi. Zoti Ademi mesa duket e ka parë të udhës të lërë një vend të mbrojtur dhe të sigurtë në një një zyrë diplomatike italiane në Shqipëri (Zyrat e Copprazione Italia) për të kaluar nën varësi të administratës shqiptare. Motivimi i pranimit të një pune më të ulët dhe më pak të sigurtë mund të spekulohet nga gjithkush, por shumë persona pohojnë se pëlqimi i Zotit Ademi është i domosdoshëm për përzgjedhjen e propozimeve.

Mundësi tjetër për të garantuar suksesin e propozimeve është mbështetja e ambasadorit italian, i cili në bazë të marrëveshjeve jo të shkruara ka një kuotë të caktuar projektesh nën kujdesin e tij; pjesa tjetër është në dorë të Ministrisë së Financave të Shqipërisë. Në këtë rol, ish-Ambasadori Gaiani u dallua për premtimet e tij për financim ndaj të gjithëve pa asnjë dallim.

Në fund jo të gjithë mbetën të kënaqur me të, por të paktën disa frekuentues të zellshëm të Rezidencës italiane u shpërblyen me financim për projekte të cilave nuk i dihet as nevoja dhe urgjenca.

Përfituesit e vërtetë jo transparentë

Problemi kryesor është se IADSA nuk ofron mjaftueshëm transparencë. Edhe pse programi ka një faqe të posaçme në rrjet, në tre gjuhë, është e vështirë të mësosh se kush janë fituesit e projekteve, për çfarë saktësisht janë dhënë dhe shpenzuar fondet dhe pse.

Nga viti 2012 deri më sot, janë organizuar katër thirrje për aplikim nga IADSA dhe janë miratuar 42 projekte, me financim total prej rreth 15,7 milionë euro. 13 prej tyre kanë përfunduar, 18 janë në zbatim, kurse 11 projekte të miratuara në fund të janarit 2016 janë në fazën e fillimit.

Katër raportet e publikuara për secilin cikël financimi janë të dobta, me format dhe përmbajtje të ndryshme nga viti në vit. Nga raportet por edhe nga infomacionet e tjera në faqe nuk arrin të mësosh se çfarë projektesh janë propozuar, cilët janë propozuesit dhe kush e çfarë është financuar saktësisht.

Ka vetëm tituj akrobatikë projektesh, disa deri në kufijtë e qesharakes. Kështu për shembull “Innovation Hubs” duhet të jetë vlerësuar për nikoqirllëk fjalësh; “Innovative social services for vulnerable (de-institutionalisation practices)” dhe “Building Stronger Communities Through Business Incubation” duhet t’i kenë prekur ambasadorin dhe ministrin me zhargonin superteknik, supermodern, super-të-pa-zbërthyeshëm; “Building Bridges of Partnerships for Arras Community Development” duket si luks (përtej mosdijes se për çfarë partneritetesh bëhet fjalë) për një komunë popullsia e së cilës është përgjysmuar nga emigracioni që mbetet burimi kryesor i të ardhurave të saj; “Planning and Catalytic investments for social cohesion and sustainable tourism development in Gramsh” duhet të ketë prodhuar fantazi turistike me “katalistët” kimikë në titull duke çuar magjepsshëm në miratimin e projektit; kurse “Tradition and Culture: key words for new social opportunities in Këlcyrë Municipality” duket si niveli i dytë i leksionëve që italianët u japin përmetarëve për gatimin e byrekut të përmetit, të cilat i kemi shpjeguar më parë këtu.

Në të gjitha këto projekte, por edhe në të tjera, paraqitet shuma dhe detajimi i financimeve, por nuk behet i ditur përfituesi, në veçanti ai italian mbahet në heshtje.

Ndoshta për shkak të kësaj velloje misteri, IADSA është në gojën e të gjithë italianëve që vinë përqark në Shqipëri në kërkim të fondeve—në mënyrë të veçantë të qindra burokratëve të niveleve të ndryshme në kërkim një misioni të ri, të cilët u propozojnë projekte miqve të tyre burokratë shiptarë, firmosin memorandume, përgatisin plane biznesi dhe lobojnë pranë Ambasadës për të miratuar financimin. Mesatarisht një në katër projekte siguron financim.

Kjo, normalisht, rrit pushtetin dhe “forcën bindëse morale” të Ambasadorit dhe forcon pozicionin qëndror të Ambasadës kundrejt kësaj turme punonjësish me pushime, shpesh jo ekspertë dhe shpesh të vështirë për t’u koordinuar.

Por çfarë të mire ka prodhuar, për popullin shqiptar apo për popullin italian, i gjithë ky lulëzim i projekteve?

Siç theksuam faqja e IADSA-s, sikurse edhe ajo e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, janë dorështrënguara në informacion, por me aq informacion sa kanë kuptohet se programi i financimit ndjek çdo herë objektiva të ndryshme: dikush ristrukturon një shkollë apo një qendër shendetësore me justifikimin për të bërë aty një qendër trajnimesh; dikush ristrukturon një shtëpi për pleqtë; dikush organizon konferenca për të trajnuar administratën vendase; dikush rindërton një inkubator biznesi të financuar edhe nga BE që, mesa duket, ka përfunduar keq sapo kanë mbaruar paratë e financimit; dikush organizon fushata “dhuro gjak”; dikush ndjek strategji të përfshirjes sociale të romëve; shumë organizojnë sisteme “bed and breakfast” “bio” dhe me “kilometra zero” në mes të maleve shqiptare duke i shitur për turizëm të qëndrueshëm; për të mos folur për projekte si ai i bunkerit fallco tek Ministria e Brendëshme që do të kthehet në muze për komunizmin, apo projekte të ngjashme të destinuara për të arnuar një sistem buxheti dhe planifikimi të investimeve që rrjedhin ujë nga të gjitha anët.

Të gjitha projektet janë të destinuara vetëm për prerje shiriti në fushata elektorale, një sërë ndërhyrjesh të vogla në formë shiu në territor, të destinuara për t’i lenë gjërat ashtu siç janë, por për të garantuar siguri elektorale, propagandë dhe ndonjë vend pune për të afërm dhe miq të pushtetit në fuqi, në ndonjë cep të humbur të këtij vendi.

Cani burrel
Ish-Ambasadori Gaiani dhe ish-Ministri Cani duke inaguruar një qendër sociale në Burrel, një nga disa projektet që IADSA ka financuar në zonën elektorale të Zotit Cani gjatë kohës kur ai ishte ministër

Ndoshta ky është përfitimi shqiptar: përfitim politik dhe propagandistik. Por populli italian i cili, deri tani, ka hequr dorë nga përfitmi i 15 milionë euro nga qeveria shqiptare çfarë fiton? Nuk kemi arritur të gjejmë një përgjigje të besueshme, por mesa duket vlerësimet zyrtare janë shumë pozitive, përderisa disa ditë më parë Ambasadori Cutillo dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj firmosën marrërveshjen e dytë të financimit me vlerë rreth 20 milionë euro nga kredia e skaduar.

Me rreth 15 milionë euro të marrëveshjes së parë dhe 20 milionë të kësaj marrëveshje të dytë mund të ishte ndërtuar ndonjë rrugë, ndonjë spital, disa shkolla a kopshte, ose mund të ishin mbuluar shpenzimet shëndetësore të shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe që përfitojnë falas nga shëndetësia italiane.

Një tjetër, element i çuditshëm është se propozim projektet duhet të paraqiten detyrimisht në gjuhën angleze. A mos ndoshta është objektiv i politikës së jashtme të Italisë të përhapë gjuhën italaine? Nëse një nënpunës shqiptar do të përfitojë financime italiane të paktën të mësojë gjuhën, kështu të paktën do të nxisnim përfshirjen në burokracinë shqiptare të shumë të rinjve të shkolluar në Itali.

Në të vërtetë, i gjithë ky program duket se është konceptuar vetem për të luajtur i ashtuquajturi “sektori i tretë”, i cili në emër të ndërhyrjes humanitare i cakton vetes rroga të mira dhe bën sikur mbikqyr vetveten; ose së dytu për të nxitur bashkëpunimin e decentralizuar të njësive të pushtetit lokal e rajonal, të cilat, edhe pse ankohen se nuk u shërbejnë dot qytetarëve për shkurtim buxheti, vazhdojnë të ndërtojnë misione të vështira e shpesh të pamundura të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sigurisht heqja dorë nga kreditë, shpesh të dhëna me kushte krejtësisht politike (për shembull, me interes 0,75 për qind, me shumë vite mospagesë dhe afate të gjata shlyerje), sidomos në situatën e tanishme të financave italiane duket zgjedhje e diskutueshme. Të paktën nëse do kishte më shumë informacion mbi aktivitetin e sistemit publik italian në Shqipëri, do të ishim në gjendje më të mirë për të arsyetuar.

 

Artikuj të lidhur:

Kur italianët u mësojnë përmetarëve si të gatuajnë byrek përmeti

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>