Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Gent Ibrahimi shprehu sot shqetësimin se prokuroria speciale anti-korrupsion SPAK do të ngarkohet me dosje korrupsioni të rasteve shumë periferike, duke humbur kështu mundësinë të orientohet drejt hetimit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Zoti Ibrahimi deklaroi:
“Fakti është që prokuroria jonë e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë.
Në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar atyre funksionarëve që kanë peshë.”
Sipas ligjit, SPAK, prokuroria speciale anti-korrupsion do të hetojë të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve dhe krimin e organizuar. Kjo do të thotë që dhe hetimi i një punonjësi policie për marrje rryshfeti diku në një qytet të vogël të vendit, do të hetohet nga SPAK.
Mungesa e mospërcaktimit të qartë të termit ‘korrupsion i zyrtarëve’ do të bëjë që SPAK të mbingarkohet me punë dhe me shumë gjasa të mos jetë i përqendruar në hetimin e rasteve të zyrtarëve të lartë.