Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar, të mërkurën, se në vend do të ketë reshje intensive nga data 6 janar deri në 11 janar, të cilat mund të shkaktojnë dhe përmbytje në disa zona.
Përmes një njoftimi për shtyp, IGJEUM paralajmëroi se reshjet do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Për këtë shkak, përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës, pasi lumenjtë të arrijnë në nivelet maksimale të prurjeve, rreth datës 12 janar.
Ndërsa për lumenjtë Seman dhe Vjosa, IGJEUM parashikon se mund të shkaktojnë përmbytje më të lehta dhe pa shumë dëme për zonat përreth.
“Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet,” paralajmëroi Instituti.