Inspektoriati i Lartë i drejtësisë, më anë të një deklarate për shtyp iu përgjigj ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi duke e akuzuar për ndërhyrje në vendimet e sistemit gjyqësor.
“ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive,” thuhet në deklaratë.
Inspektoriati bëri thirrje për respektim të parimit të ndarjes së pushteteve nga çdo institucion.
Në deklaratë theksohet se institucioni ngelej i hapur për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të magjistratëve, por se ato nuk mund të jenë “objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”.
Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi fajësoi të hënën prokurorët dhe gjykatësit “KÇK” që nuk kanë kaluar vetingun për konfliktin në Velipojë dhe aksidentin në Vlorë, që shkaktuan 4 viktima secili.