Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha, e cila pak muaj më parë liroi me kusht anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Doklen.
Sipas Top Channel, Ministria e Drejtësisë është ankuar pranë ILD, në lidhje me vendimin e gjyqtares Hoxha. MD argumenton se gjyqtarja Hoxha ka shkelur ligjin duke dhënë lirinë me kusht ndaj Dokles.
Gjykata e Krujës liroi në janar nga burgu Endrit Doklen, një prej drejtuesve të bandës famëkeqe të Durrësit, dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjyqtarja Enkeleda Hoxha pranoi kërkesën e Dokles për ta konvertuar dënimin e përjetshëm në dënim 25 vjeçar, dhe pranoi kërkesën për tu lënë i lirë pasi ka kryer ¾-ën e dënimit 25 vjeçar.
Gjyqtarja justifikoi vendimin e saj dhe me faktin se i burgosuri kishte siguruar një kontratë pune në firmën Mateo Konstruksion, në pronësi të Agim Cakos.
Në vitin 2017, Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën e Dokles për rrëzimin e dënimit të përjetshëm duke e lënë në fuqi atë, por duket se gjyqtarja Hoxha e ka shkelur këtë vendim.
Vendimi i gjyqtares Hoxha u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Krujës, e cila e quan të paligjshëm lirimin e Endrit Dokles. Prokuroria apeloi këtë vendim dhe kërkoi rikthimin e Dokles në burg.
Endrit Dokle njihet si një prej drejtuesve të Bandës së Durrësit, që vepronte që prej vitit 1994.Ai së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës, janë dënuar për dhjetra vrasje në Tiranë e Durrës, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qeniesh njerëzore.