Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka deklaruar se reforma në drejtësi po zbatohet dhe se adresimi i paligjshmërive është luftë.
Përmes një postimi në Twitter, Metani shkruan se çdo magjistrant duhet të ketë kujdes gjatë punës së tij.
“Duke përshëndetur aksionin e djeshëm të SPAK, dua të nënvizoj se zbatimi i reformës në drejtësi, adresimi i paligjshmërive në sistem është luftë. Tani është koha që secili të bëjë llogaritë e veta!”
Reagimi i tij erdhi pas arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha. Ajo akuzohet për korrupsion për lirimin e një të burgosuri me 25 vite burg.
Gjyqtarja Hoxha është në gjykim dhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për lirimin e personave me burgim të përjetshëm.
Metani ka kërkuar shkarkimin e saj me argumentin se cënon figurën e gjyqtarit.
Gjyqtarja Hoxha njihet si ‘avokatja mbrojtëse’ që ka mundësuar lirimin e parakohshëm të disa kriminelëve të dënuar me burgim të përjetshëm.
Exit News ka shkruar më parë se si gjyqtarja Hoxha ka liruar Endrit Doklen, Hekuran Billon, Genc Tafilin dhe Ilir Pajën, përmes një skeme të njëjtë.