Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe zëvendësja e tij Irena Beqiraj biseduan, sot paradite, me gazetarët për t’i informuar se qeveria ka vendosur që aspekte të caktuara të mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar t’ia japë me konçension një operatori privat.
Ministri vetëm sa ka bërë me dije këtë fakt dhe është larguar, duke lënë zëvendësen e tij të japë shpjegime dhe t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkohë që zëvendësministren e kishte caktuar të fliste për dështimin më të madh të qeverisjes—mbledhjen e të ardhurave—Kryeministri Rama kishte zgjedhur që kohën dhe vëmendjen e tij t’ia kushtonte një aktiviteti të parëndësishëm propagandistik të Bashkisë Tiranë.
Për më shumë se dy orë këtë paradite, Kryeministri mori pjesë në aktivitetin promovues “Tirana Smart City” organizuar nga kryebashkiaku Veliaj, ku u paraqitën para publikut një sërë projekt-idesh për përdorimin e IT-së në menaxhimin urban.
Pjesëmarrja e Kryeministrit në këtë aktivitet qe e pavend, jo vetëm për rëndësinë e pakët të aktivitetit përballë problemeve e çështjeve madhore që po ndesh qeverisja, por edhe sepse ai ishte aktivitet i pushtetit lokal, që duhet të jetë i pavarur nga pushteti qëndror.
Nga ana tjetër, prania e Kryeministrit nuk justifikohej as nga niveli i pjesëmarrjes në takim – në të merrnin pjesë përfaqësues të zyrave të organizatave ndërkombëtare, përfaqësues NGO-sh dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Kryeministri sot duhet të ishte atje ku ishte zëvendës ministrja e financave, para publikut, për të folur për ekonominë, për vështirësitë në mbledhjen e të ardhurave, dhe politikat që qeveria do të ndjekë për të dalë nga kjo gjendje.
Ndërsa, në aktivitetin ku ishte Kryeministri duhet të ishte më e përshtarshme të ishte zëvendës ministrja e zhvillimit urban apo ndonjë zëvendës ministrie tjetër.