Gjashtë fitore në 6 ndeshje kampionat e kanë ngritur Interin e Antonio Contes në krye të Serie A-së me entuziazëm dhe moral të lartë. Por testi i së vërtetës duket të jetë këtë javë si fillim përballë Messit në Champions League e më pas kundër Ronaldos në derbin e Italisë.
Gjithçka në 5 ditë. Duke patur parasysh vështirësinë që Interi hasi ndaj Slavia Pragës (1-1), Champions League-a është arena ku skuadra e Contes duhet të rifitojë besim.
Të mërkurën do të jetë përballë Barcelonës, kjo e fundit ka patur probleme me Messin, i shqetësuar nga disa lëndime muskulore.
Në Grupin F, ku është dhe Dortmundi, të katërta skuadrat kanë nga 1 pikë, çka do të thotë se sfida në Camp Nou me Barcelonën është me rëndësi për fatet e Interit në Evropë.
Vitin e shkuar, me Luciano Spallettin, kundër katalanasve zikaltërit u mundën 2-0 dhe në fund barazimi (1-1) me PSV Eindhoven i skualifikoi nga Champions League.
Por këtë vit Interi ka treguar se ka një marsh më shumë. Largimi i Icardit ka balancuar grupin ndërsa ardhjet e Antonio Contes, Lukakut dhe Sanchez ka shtuar mentalitetin fitues.
Por a mjaftojnë këto? Mbetet për t’u parë që të mërkurën mbrëma.
Në Itali e përshkruajnë gjendjen te Interi më se optimale. Conte ka alternuar lojtarët në ndeshjet e fundit duke u dhënë mundësi për pushim, rasti konkret Bastoni, Sensi, Vecino, Gagliardini, Lukaku, apo Sanchez.
Një skuadër e freskët fizikisht mund të jetë zgjidhje përballë një Barcelone që ka vuajtur me lëndimet e Messit, Dembeles, Fatit, Umtitit dhe Jordi Albas. E njëjta gjë vlen edhe në sfidën kundër Juventusit, që ka patur të lënduar Douglas Costa, De Sciglio, Danilo dhe Chiellini.
Por nëse Interi luan në transfertë, në Champions League Juventusi nuk lëviz prej Torinos. Bardhezinjve u është rikthyer Cristiano Ronaldo, i cili la pas problemet muskulore. Ndërkohë që Paulo Dybala ka treguar formë tejet të mirë.
Kjo është situata. Tifozët zikaltër presin që nga dy përballjet me 5 yje, të gëzojnë qoftë një fitore. Dëshira më e madhe sigurisht është për sfidën në San Siro të fundjavës, kundër Juventusit, çka do të ishte derbi i radhës i fituar, pas atij (2-0) me Milanin.
Interi nuk i mund bardhezinjtë që prej vitit 2016. Një fitore kundër Ronaldos dhe kompani do të ishte një plus edhe më i madh për ëndrrat për titull.