“Interpelanca” propagandistike e ministrit Bushati

“Interpelanca” propagandistike e ministrit Bushati

Pavarësisht protestave e kërkesave të qytetarëve për transparencë, Ministri Bushati ende nuk ka sqaruar opinionin publik mbi marrëveshjen për detin me Greqinë.

Por dje ai ka zhvilluar me ish-praktikantët e tij një “interpelancë të kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al nga një grup studentësh të ekselencës.”

“Interpelanca” u drejtua nga Zonja Eridana Cano, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog.

Në sallën me rreth 15 studentë të ekselencës, që kërkuan “interpelancën” për të mësuar rreth marrëveshjeve me Greqinë, vetëm tre prej tyre bënë pyetje. Për çudi dy prej tyre  që bënë pyetje, deklaruan se kanë qenë ish-praktikantë në Ministrinë e Punëve të Jashmte.

Sidonja Manushi, ish-praktikante pranë MPJ, e cila ishte dhe nismëtarja e interpelancës pyeti:

“Kërkojmë më shumë transparencë që të mos ndikohemi nga ato që thuhen më media.

Pyetja e parë ka të bëjë me paktin për detin. Ne dimë gjërat kryesore, por duke qenë se pakti është drejt finalizimit […]atëherë është koha që të dimë pak më shumë se çfarë përfiton Shqipëria nga kjo marrëveshje.”

Ministri Bushati ju përgjigj me refrenin e zakonshëm “do të kemi një marrëveshje më të mirë se 2009-ta”:

“Çdo diskutim në media për të ashtuquajturën “12 milje”, për “falje” apo “shitje” të zonave tona naftëmbajtëse, gazsjellëse, është thjeshtë një shpifje.”

Pyetjet e ish-praktikantëve të tjerë ishin për çështjen çame dhe për efektet reale që do të ketë diskutimi i dosjes 70 vjeçare me Greqinë në përditshmërinë e të rinjve shqiptarë.

Njësoj si dhe më parë, Ministri Bushati tha se Qeveria Rama ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër për çështjen çame. Zoti Bushati theksoi se çështja çame është çështje e të drejtave të njeriut dhe jo çështje irridentiste si e quajnë “disa politikanë në Greqi.”

Në fund të interpelancës, Ministri Bushati i falenderoi ish-praktikantët e tij për mundësinë që i dhanë për të komunikuar për këto çështje kaq të rëndësishme dhe u shpreh i gatshëm për interpelanca të tjerë përmes platformës “Shqipëria që duam”.

Mesa duket tani e tutje, ministrat e Qeverisë Rama kanë vendosur të mos i përgjigjet më as qytetarëve, as gazetarëve por vetëm atyre që përmes platformës online, mund t’i shërbejnë propagandës qeveritare.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>