Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bisedoi, dje në mbrëmje, me gazetarin Sokol Balla, në emisionin Top Story. Deklarimet kryesore të tij ishin:
Për protestën kundër ndërtimit të këndit të lojrave tek Parku i Liqenit
- Nga grupi i organizatave që kanë protestuar për parkun, nga 20 që ishin në fillim, 18 erdhën në takim me ne dhe tani nuk janë më në protestë. Unë e mbaj derën hapur për të gjithë, dhe për ato dy organizata që kanë ngelur dera e bashkisë është e hapur.
- Ç’punë ka deputeti i Shistavecit, i Thumanës apo i Kamzës tek protesta për Parkun e Liqenit?
- Parku është në pronësi të Bashkisë Tiranë.
- Këndi i lojërave ka marrë lejen e ndërtimit me një vendim KKT-je, firmosur më 12 shkurt. Kemi dhe kthimin e përgjigjies nga Lefter Koka, se u nis dhe një telenovelë për marrëdhënien PS-LSI, që edhe pse ne kemi VNM, ajo nuk është e nevojshme pasi nuk po ndërtojmë pallat.
- Nëse jemi prindër të mirë themi “çfarë kemi më të mirën, t’ja japim fëmijëve”. Vetëm këtë park kemi, le tua japim fëmijëve. Sot jemi i vetmi kryeqytet në botë që çojmë fëmijët në qendra tregtare për të luajtur.
Për planet që Kryebashkiaku Veliaj ka për Tiranën
- Projekti [tek sheshi Skënderbej] bazohet kryesisht tek ideja e vjetër e Edi Ramës por do të ketë disa ndryshime. Sheshi mund të konceptohet me disa ishuj të gjelbër, pra me më shumë gjelbërim. Do të shkojmë në një koncept 50 për qind gjelbërim me 50 për qind masë e ngurtë dhe në total besoj që do të kemi mbi 5 mijë pemë dhe nuk është planifikuar ndërtim tjetër.
- Qyteti jeton me infrastrukturë të madhe por dhe me estetikë, gjëra të vogla që bëjnë impakt, si ai shatërvani i vogël në mes të liqenit, që është i ngjashëm me atë në Gjenevë.
- Përveç këndit tek Parku i Liqenit, po bëjmë dhe 11 të tjerë në të gjitha njësitë e Tiranës.
- Do prishim 100 ndërtime pa leje në park.
- Nga 6 hektare që ka garda, 5,5 hektarë do i shkojnë Parkut të Liqenit. Në gjysëm hektari që mbetet, do ketë një ndërtesë që do shërbejë për t’i pasur të gjitha zyrat për shërbimet publike në një hapësirë.
- Do lëviz çdo gur që të fitoj betejën kundër PD-së për pallatet tek diga e Liqenit.
- Marr seriozisht çdo gjë në Tiranë, një poç të thyer, një pusetë, çdo gjë që ndodh.
Për Partinë Socialiste
- Sa herë që qeverisin të majtët, bëhet shtet dhe qytet; sa herë vjen rrumpalla, bëhet hi e pluhur çdo gjë.
- Historia do të jetë bujare me Edi Ramën. Ai u konfirmua dy herë në krye të partisë, në zgjedhjet e 2013-ës dhe në të 2015-ës.