Dje në mbrëmje, pasi u la e lirë nga policia, Mimoza Boçari dha një intervistë per exit.al, në të cilën ndër të tjera u shpreh:
- Unë s’jam e PD-së dhe asnjë nga ata që ishin me mua nuk janë të PD-së. Kryeministri Rama këtë e di më mirë nga të gjithë. Sic duket është varianti komunist që “ai që nuk është me mua, është armiku im.”
- Unë kam qenë pjesëmarrëse në grevën e urisë të organizuar nga Partia Socialiste për të drejtën kushtetuese të votës. Unë iu bashkangjita asaj greve për të drejtën kushtetuese të pronës.
- Në 21 janar jam dëshmitare e atyre që ndodhën dhe jam ajo që kam asistuar vdekjen e Hekuranit të qëlluar. Kam qenë e vetme aty, pa asnjë anëtar të PS-së rreth e qark. Në atë moment të gjithë udhëheqësit e PS-së ishin zhdukur, populli kishte ngelur i braktisur, pa udhëheqje.
- Kryetari i Bashkisë po zhvillohet si një figurë që është komplet gënjeshtra e asaj që ai paraqiti gjatë fushatës. Nga një njeri popullor që bisedonte me të gjithë, tani i ktheu krahët të gjithëve.
- Reagimi i policisë ishte i frikshëm, i dhunshëm. Më kujtoi dhunën e 21 janarit. Dhe kështu siç kemi filluar jemi në një diktarurë dhune, diktaturë e hajdutërisë.
- Nëse populli shqiptar nuk ndërgjegjësohet dhe vazhdon akoma me këtë ngërç që na ka zënë, me “nuk bëhët, nuk kemi ç’të bëjmë”, atëherë jemi të destinuar të vdesim. Kjo është përpjekja e fundit, o do të groposemi të gjallë, o do rilindim si komb.