Kryetari i Kuvendit Ilir Meta bisedoi, të mërkurën në mbrëmje, me gazetaren Eni Vasili në emisionin Studio e Hapur. Transkripti i bisedës mund të lexohet në faqen në internet të Kuvendit.
Biseda, e cila u përqëndrua në çështje aktuale politike, nuk pati ndonjë moment të veçantë e nuk solli ndonjë të re, ndërsa Zoti Meta ripërsëriti qëndrimet tashmë të njohura të tij në lidhje me akuzat për korrupsion, për qeverisjen dhe koalicionin qeveritar, për reformën në drejtësi etj.
Megjithatë, intervista rikonfirmoi një sërë gjërash të ditura.
1. Teza e preferuar e zyrtarëve për justifikimin e pasurisë mbetet ajo e origjinës nga familjarët e tyre. I pyetur për pasurinë e tij, veçanërisht për vilën luksoze në Gjirin e Lalzit dhe për për apartamentin e madh në mes të bllokut, Zoti Meta është shprehur në një mënyrë jo të rrjedhshme se:
“Pronat dhe pasuritë e ligjshme që ka bashkëshortja ime dhe nëna e saj, me të cilën ne jetojmë prej kaq vitesh, janë 7-8 herë më të mëdha se sa dy shtëpitë që ne banojmë në Tiranë dhe në Lalëz.”
Duket se nuk ka gjetur dot argument tjetër pasi edhe pse është nxitur përsëri nga gazetarja për origjinën e pasurisë së tij ai është përgjigjur gati në mënyrë identike:
“E thashë edhe një herë. Pasurinë që ka të ligjshme në pronën e saj pallat 6 000 m katror, 35 për qind bashkëshortja ime dhe nëna e saj, dihet që ne kemi jetuar gjithë kohën me prindërit e Monikës edhe sepse ata janë përkujdesur gjithë kohës me rritjen e fëmijëve, etj., është mos gaboj rreth 6 mijë metra katrorë.”
2. Bixhozi duket se vazhdon të jetë aktivitet i përhapur mes politikanëve. Në Tiranë flitet në mënyrë të vazhdueshme për politikanë dhe drejtues të lartë të dhënë apo të varur nga bixhozi. Zoti Meta duket sikur e konfirmoi këtë gjë kur, duke dashur të argumentojë se akuzat e tij janë të pamerituara, la të nënkuptohet se ai nuk ka pasione të shtrenjta si politikanët e tjerë, teksa tha:
“Kur më thotë që paskam unë një shtëpi në Lalëz dhe ky qenka një problem i madh. Dhe qenka çudi e madhe që një politikan shqiptar bëka pushime në Lalëz apo në Velipojë, apo në Shëngjin, apo në Golem, apo në Sarandë, por nuk i bëka në Dubai, në Maldive, në Mauritius, në Bahamas apo ku e di unë… Por unë jam një politikan që nuk di të luajë as kazino, as në baste, etj.”
3. Politikanët kryesorë të vendit kanë nivel mediokër kulturor e intelektual. Edhe kjo intervistë qe një tjetër dëshmi se niveli i diskutimit të tyre mbetet ai i bisedave të kafeneve. I gjithë vizioni dhe diskursi i tyre publik përqëndrohet në një grusht klishesh të përgjithshme e thëniesh dogmatike të stërpërsëritura. Diskutimet e tyre janë të pafrymëzuara, pa elokuencë, por mbi të gjitha pa përmbajtje. Ndërsa njohuritë e tyre për punë të qeverisjes dhe politikave publike është i kufizuar. Shprehja banale “me dashuri dhe qetësi” e Zotit Meta, të cilën e përsëriti edhe në këtë intervistë, është shprehje-simbol e nivelit intelektual të shumicës së politikanëve tanë.
4. Niveli i intervistimit politik vazhdon të jetë i dobët. Asnjë nga pyetjet që ju bënë zotit Meta nuk qe ndryshe nga pyetjet që i janë bërë në mënyrë të vazhdueshme të paktën vitin e fundit. Nga ana tjetër, edhe pse shumë nga përgjigjet e Zotit Meta ishin ose të pabesueshme ose jo plotësisht të vërteta, ai nuk u sfidua asnjë moment nga intervistuesja.
Në përgjithësi, pyetjet që u bëhen politikanëve në intervista mediatike janë sipërfaqësore dhe përgjithësisht janë ftesa për të komentuar ngjarje apo dhënë përshtypje. Niveli i informacionit, fakteve, analizave apo hipotezave mbi të cilat mbështeten temat dhe pyetjet është i dobët dhe minimal. Përgjigjet e politikanëve pranohen menjëherë si të vërteta finale, pa vënë në pikëpyetje, pa u sfiduar apo pa u hetuar më tej nga intervistuesit.