Duket se çështja e audio-përgjimit të pretenduar të Agron Xhafajt ka marrë një kthesë të re dhe intriguese. Ish-deputeti Ervin Salianji ka bërë publike ditët e fundit disa përgjime telefonike të prokurorisë, të cilat tregojnë se Alfred Alizoti, i cili është vetëdeklaruar se ka aktruar si Agron Xhafaj, ka patur një marëdhënie të ngushtë dhe ka marrë favore nga Drejtori i Policisë së Fierit.
Për të dhënë kontekstin e këtyre zbulimeve të fundit, Exit.al ka bërë më poshtë një përmbledhje kronologjike të zhvillimeve kryesore të kësaj afere.
***
14 maj 2018: Partia Demokratike bën publik një regjistrim audio të një bisede, ku flitet për trafikim droge—një folës, i mbiquajtur fillimisht Dëshmitari X, merr udhëzime se ku të sigurojë një ngarkesë nga një person tjetër, që pretendohet se është Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Partia Demorkatike, gjithashtu, akuzon se Agron Xhafaj është dënuar në nëntor 2012 nga drejtësia italiane me 7 vjet e 8 muaj për trafikim ndërkombëtar kokaine, por fshihet prej vitesh në Shqipëri me mbrojtjen e të vëllait.
15 maj 2018: Përfaqësues të PD-së dorëzojnë përgjimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Agron Xhafaj deklaron se audio-përgjimi është montazh i sajuar nga opozita dhe padit në Prokurorinë e Tiranës për kallëzim të rremë deputetët demokratë Ervin Salianji, Enkeljed Alibeaj dhe këshilltarin Gazmend Bardhi, të cilët bënë publik audio-regjistrimin.
Në rrethana të paqarta, në mbrëmje vonë, Agron Xhafajt i merret një regjistrim i zërit të tij, për t’u përdorur si shembull për të kryer analiza krahasuese. Ende sot nuk është mësuar se ku, nga kush dhe me çfarë procedure u sigurua regjistrimi i zërit të tij.
Agron Xhafaj identifikon para prokurorëve “Dëshmitarin X” në regjistrim si Albert Veliun, i njohur me nofkën Babale, një ish-trafikant droge dhe i dënuar. Agron Xhafaj mohon të ketë folur me të.
Agron Xhafaj pranon se është dënuar në Itali dhe deklaron se do t’i dorëzohet policisë italiane për të kryer dënimin.
16 maj 2018: Në mëngjes, Agron Xhafaj fluturon për në Itali, nën shoqërimin e oficerëve italianë dhe shqiptarë, ku dorëzohet për të kryer dënimin.
Në mbrëmje, më pak se 48 orë pas bërjes publike të regjistrimit, Kryeministri Edi Rama deklaron se regjistrimi ishte analizuar nga një studio prestigjoze e huaj, pa dhënë as emrin dhe as vendin, e cila kishte vërtetuar se ai ishte i manipuluar. Kryeministri paralajmëron se do të ketë pasoja për falsifikatorët, dhe pohon se Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi, as morale e as ligjore, për veprimet e vëllait të tij.
Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon hetimet për trafikim droge kundër Agron Xhafajt.
17 maj 2018: Albert Veliu pohon se është identifikuar dhe kërkon mbrojtje nga PD, për veten dhe për familjen e tij.
PD shfaq një intervistë të Veliut, të marrë nga Jetmir Olldashi gjatë natës në selinë e PD-së, ku ai është strehuar. Veliaj pohon se audio-përgjimi është i vërtetë. Ai pohon se ka punuar me Agron Xhafajn, si pjesë e të njëjtës bandë të shpërndarjes së kokainës në Itali.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla akuzon PD-në se e ka paguar Albert Veliun për të inskenuar audio-përgjimin.
18 maj 2018: Albert Veliu merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ai pohon vërtetësinë e përgjimit dhe akuzat për Xhafajn. Prokuroria i merr një shembull të zërit.
19 maj 2018: Gazetari Jetmir Olldashi pranon se e ka bërë ai përgjimin e bisedës mes Veliut dhe Agron Xhafajt, si pjesë e një hetimi për bandat e drogës në qytetin e Vlorës. Olldashi shprehet se në përgjim është Agron Xhafaj, ndonëse pranon se ai ka qëndruar jashtë lokalit, brenda të cilit u zhvillua biseda mes Veliut dhe Xhafajt.
21 maj 2018: Deputetët Salianji dhe Alibeaj, si dhe këshilltari Bardhi japin deklarata në prokurori, pas padisë së ngritur nga Agron Xhafaj kundër tyre.
28 maj 2018: Albert Veliu arrestohet në Kosovë për kalim të paligjshëm të kufirit. Prokuroria bën të ditur se regjistrimi audio është dërguar për t’u ekzaminuar në Institutin e Policisë Shkencore të Romës.
8 qershor 2018: Në një lajm ekskluziv, Shqiptarja.com njofton se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është vetëofruar një person, i cili ka deklaruar para hetuesve se ai vetë kishte aktruar në rolin e Agron Xhafajt në përgjimin e regjistruar nga Albert Veliu, i identifikuar me nofkën Babalja. Shqiptarja.com pohon se prokuroria ka marrë një shembull të zërit të dëshmitarit të vetëofruar.
19 qershor 2018: Shqiptarja.com boton sërish një informacion, të pretenduar ekskluziv, se sipas dëshmitarit të vetëdorëzuar, Albert Veliu (Babalja) ka marrë 100 mijë euro për inskenimin e audio-regjistrimit. Dëshmitari i vetëofruar pohon se Babalja nuk ia ka thënë asnjëherë emrin e personit që do të financonte punën e tyre për të inskenuar audio-përgjimin.
Po sipas Shqiptarja.com, pohimet e dëshmitarit të vetëofruar përputhen me përmbajtjen e disa bisedave të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ky dëshmitar i vetëofruar dhe Babalja diskutojnë bashkë për ndarjen e fitimit. Në këto biseda, i vetëofruari duket se i kujton Babales se ky duhet t’i jepte pjesën e premtuar, pasi në të kundërt ai do hidhej nga krahu tjetër dhe do të tregonte të gjithë të vërtetën.
2 korrik 2018: Më shumë se një muaj pasi audio-regjistrimi ishte dërguar në Itali, prokuroria deklaron se laboratori italian nuk kishte marrë përsipër analizimin, ndaj audio-regjistrimi ishte dërguar për ekspertim në Britaninë e Madhe.
26 shtator 2018: Në media botohet lajmi se laboratori britanik e ka sjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej disa ditësh përgjigjen e ekzaminimit të audio-regjitrimit.
6 tetor 2018: Prokurori i Krimeve të Rënda Gentian Osmani i kërkon Gjykatës për Krime të Rënda arrestimin e dëshmitarit Albert Veliu, të njohur si Babalja, dhe të dëshmitarit të vetëofruar, që identifikohet me emrin Alfred Alizoti. Ai ka kërkon, gjithashtu, “detyrim për paraqitje” për akuzën e kallëzimit të rremë për deputetin demokrat Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi.
7-8 tetor 2018: Bëhen publike informacione nga dosja hetimore e dorëzuar nga prokurorët në gjykatë. Mësohet se regjistrimi është analizuar nga një laborator privat britanik. Nga përgjigja e laboratorit britanik mësohet se prokuroria ka çuar për krahasim katër shembuj zëri: të Agron Xhafajt, Albert Veliut, Alfred Alizotit dhe të një personi tjetër. Mësohet se prokuroria nuk ka çuar në laboratorin anglez regjistrimin e bisedës së dorëzuar nga PD-ja, por një regjistrim të saj të marrë nga transmetimet në media, ndërkohë që laboratori thekson se shembulli i zërit të Agron Xhafajt, marrë nga prokuroria shqiptare, është shumë i dobët.
Laboratori britanik konfirmon se zëri në audio-regjistrimin është i Albert Veliut, si dhe përjashton që zëri i katërt i dërguar si shembull nga prokuroria të jetë i ndokujt në bisedën e regjistruar. Laboratori nuk ka arritur të vendosë me siguri nëse zëri tjetër në bisedën e regjistruar është i Agron Xhafajt apo i Alfred Alizotit, pasi të dy zërat janë të ngjashëm me atë në regjistrim.
Pavarësisht përgjigjes së laboratorit britanik, prokuroria ka arritur në përfundimin se zëri në përgjim është i Alfred Alizotit, nga Novosela e Vlorës, i cili, sipas saj, është shtirur si Agron Xhafaj me qëllim realizimin e një regjistrimi për të diskredituar imazhin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas prokurorisë, duke qënë se Veliu nuk i kishte dhënë Alizotit paratë e premtuara, ai kishte vendosur ta denonconte Veliun.
9 tetor 2019: Në mesditë, në një fjalim në Kuvend, Kryeminsitri Rama e shpall audio-regjistrimin pjesë të një konspiracioni për të rrëzuar qeverinë. Rama pohon:
“I di të gjitha, nga fillimi në fund, sepse kam angazhuar një grup të posaçëm, që është marrë nga fillimi deri në fund për të ditur unë vetë, në radhë të parë, të gjithë të vërtetën. Shqiptarët do ta mësojnë nga A-ja te Zh-ja, jo me institucione, por me emra e mbiemra, kush është përfshirë në këtë konspiracion të mirëfilltë për rrëzimin e qeverisë.”
Duke bërë aludime për përfshirje në këtë skenar antiqeveri të shërbimit sekret të vendit dhe të prokurorisë së krimeve të rënda, ai theksoi: “Babalja është gatuar në dy skuta shtetërore.”
Në mbrëmje, Ervin Salianji bën publike një video të regjistruar në një lokal, ku shfaqet Alfred Alizoti, duke biseduar me një person, zëri i të cilit është transformuar për të mos u identifikuar. Në video Alizoti shpehet se ai është detyruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe nga deputeti Taulant Balla që të pranojë se ka aktruar zërin e Agron Xhafajt në videon e Babales. Alizoti shprehet se Veliu e ka marrë në makinën e tij nga Vlora dhe e ka sjellë në Tiranë në prokurori për të bërë denoncimin e tij kundër Babales. Alizoti tregon se para se të hyjë në prokurori ai ka pirë edhe një kafe me deputetin Taulant Balla, i cili i ka ofruar 200 mijë euro.
Salianji deklaron se Alfred Alizoti është një dëshmitar i rremë, i rekrutuar nga policia dhe qeveria për të marrë përsipër sikur është ai në audio-përgjim, duke aktruar në vend të Agron Xhafajt.
10 tetor 2018: Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestron videon e bërë publike nga Salianji.
Drejtori i Policisë së Shtetit pranon se e ka shoqëruar Alizotin me makinën e tij nga Vlora në Tiranë për në prokurori, dhe shprehet se kjo është gjë normale për një oficer policie. Policia mohon çdo thënie tjetër të Alizotit në video. Po ashtu, deputeti Taulant Balla mohon ta ketë takuar ndonjëherë Alfred Alizotin.
12 tetor 2018: Salianji jep shpjegime në prokurori për videon e Alfred Alizotit, duke pohuar se ajo është regjistruar në një kafe pranë ndërtesës së PD-së nga Florenc Hoxha, ish-drejtuesi i Policisë Bashkiake Tiranë në kohën e kryebashkiakut Lulzim Basha. Salianji deklaron se Veliu kishte ardhur pranë zyrave të PD-së për të takuar atë, por ai nuk i kishte dalë në takim dhe Veliu ishte ulur në kafen pranë PD-së, ku kishte filluar të fliste.
16-18 tetor 2018: Deputeti Ervin Salianji publikon një sërë transkriptesh bisedash telefonike të përgjuara nga prokuroria dhe të përfshira në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Nga bisedat kuptohet se Alizoti ka folur disa herë me drejtuesit e Policisë së Fierit, me të cilët duket se ka afërsi. Ai flet për një “pako të mirë”, që ka marrë nga Drejtori i Policisë së Fierit, dhe është krejtësisht i pashqetësuar edhe pse muaj më parë ishte vetëdorëzuar në prokurori duke pranuar se ishte pjesë e një konspiracioni. Në një bisedë ai duket se e konfirmon takimin me deputetin Balla, pasi i thotë dikujt se është duke pritur për t’u takuar me një shok nga Librazhdi, të cilit i referohet si “Taulanti”.
6 mars 2019: Alfred Alizoti, Albert Veliu, Ervin Salinaji dhe Jetmir Olldashi akuzohen zyrtarisht nga prokuroria për kallëzim të rremë, duke pretenduar se ata kanë inskenuar audio-përgjimin kundër Agron Xhafajt.
22-25 mars 2019: Salianji publikon një sërë audio-përgjimesh të realizuara nga prokuroria dhe të futura në materialet hetimore, por të pazbardhura dhe të pashqyrtuara prej saj, të cilat dëshmojnë se më datat 7 dhe 8 qershor 2018, Fredi Alizoti ka folur në telefon me Albert Nushin, Drejtorin e Policisë së Fierit, në orët e vona të natës.
Biseda duket se provon një marrëdhënie të afërt mes tyre dhe një histori marrëdhëniesh për diçka. Në bisedë Alizoti i kërkon para Nushit, dhe ky ia pemton se do ia dërgojë. Në bisedë ka referenca indirekte për para të dhëna nga Nushi për Alizotin, si dhe nënkuptohet se Alizoti është në dijeni apo në marrëdhënie indirekte me një prokuror dhe më një shef të madh të Drejtorit të Policisë së Fierit.
Më poshtë është transkrupti i njërës prej këtyre bisedave, e zhvilluar në orën 00:28, pas mesnatës së datës 8 qershor 2018.
Drejtori Nushi: Fredi
Alfred Alizoti: Ai është b.q. prokuror, të më thotë ai mua…
Drejtori Nushi: Ku je, se nuk…
Alfred Alizoti: Dëgjo mua, atë që kam nisur… ëëë…
Drejtori Nushi: Ku je, në Fier apo jo?
Alfred Alizoti: Të kam q… robtë, atë që kam nisur nuk e kthej mbrapa, a t’i thosha të kam q… motrën m’u në p…
Drejtori Nushi: Fredi, po më dëgjo, Frediii…
Alfred Alizoti: Unë nuk di si më lini në rrugë mua, vari k… muhabete, i ka marrë në dorë Gramozi këto punë
Drejtori Nushi: Se jam në vendngjarje tani, ça do, më thuaj?
Alfred Alizoti: Do më dërgosh njeri, që të flas?
Drejtori Nushi: Jam në Fier kam një ngjarje, jam në Ballsh.
Alfred Alizoti: E mban mend ku me ke lënë herën e parë? Më dërgo njeri për çerek ore.
Drejtori Nushi: Ka mundësi të mos më kapë telefoni, se jam në vendngjarje.
Alfred Alizoti: E dëgjon, aty ku më le, e mban mend?
Drejtori Nushi: Po, do të nis unë njeri me lekë.
Alfred Alizoti: Po, e kape, e do troç, e kap, jam në mes të rrugës.