Investimet nuk vinë me propagandë

Investimet nuk vinë me propagandë

Ekonomia nuk është shkencë ekzakte, madje është një degë e shkencave sociale e krijuar nga kombinimi i të dhënave (realiteti) dhe pritshmërive (shpresat). Të parat mund të ndryshohen vetëm me para dhe punë, ndërsa të dytat mund të ndryshohen me demagogji dhe propagandë. Por, në ndryshim nga realiteti, demagogjia dhe propaganda të përdorura në doza të mëdha apo nga njerëz të pabesueshëm, humbasin efikasitetin e tyre, madje prodhojnë efektin e kundërt.

Një vend si Shqipëria, për të arritur objektivat e politikës ekonomike të prezantuara nga qeveria Rama, ka nevojë çdo vit për të paktën 1-1,5 miliardë euro investime direkte të ardhura nga jashtë, si kombinim mes investimeve të vogla që bëhen pothuajse menjëherë produktive dhe atyre të mëdha që i sjellin përfitimet në një periudhë më afatgjatë.

Pra duhen për 3 deri në 4 milionë euro në ditë, çdo ditë.

Për të siguruar këto volume, është e llogjikshme që duhet punë e përditshme dhe e lodhshme, jo vetëm nga ministrat por edhe administrata e tyre, duke qene të vetëdijshëm se nuk është e lehtë të gjenden shumë investitorë me paratë gati për të investuar në Shqipëri.

Duke e ditur këtë gjë, strategët qeveritarë, dembelë por ama dinakë, kanë vënë si objektiv të tyre projektet kolosale, me miliarda euro—hidrocentrale të mëdha, komplekse gjigande turistike në bregdet, aeroporte të reja, hekurudha, e kështu me radhë, katallogu i ëndrrave është i gjatë.

Por, çështja është kush do rrezikojë kaq shumë para për të investuar me shpresën se dikush do blejë produktet apo shërbimet e prodhuara nga investimi i tyre në një vend ku tregu është i vogël e problemet të mëdha?

Për të bindur organizmat financiare të lëvizin shifra të mëdha, nuk mjafton vetëm betimi i ministrit që thotë “garantoj unë”, nuk mjaftojnë as ca letra qeveritare që përmbajnë propagandë në vend të analizave, nuk nevojiten as ligje për investime strategjike të bazuara mbi principin absurd se vetëm kur shpenzon shumë, je i garantuar.

Me pak fjalë, modeli i propagandës për të joshur dhe mashtruar investitorin, i cili kur zbulon mashtrimin është tashmë i burgosuri i investimit të tij, nuk funksionon më, sepse ka një histori negative e cila nuk mund te fshihet me pretekste politike, duke thënë se ishin “të tjerët, ata të mëparshmit”.

Për të bindur investuesit e mëdhenj duhet besueshmëri e vërtetë, mbështetur në histori pozitive të vendit dhe të njerëzve; mbështetur në programe zhvillimi të qarta dhe të arsyeshme; në sjellje korrekte deri në detajin më të vogël; në të dhëna të vërteta dhe të verifikueshme; dhe së fundmi në angazhime të premtuara dhe të realizuara.

Qeveria socialiste mendoi se mund ta lëvizte sistemin ekonomik duke krijuar vetëm pritshmëri, duke përdorur propagandën dhe duke mohuar ekzistencën e efekteve të kundërta të shkaktuara nga politika e saj e keqe, së pari nga ndërhyrja absolutisht ideologjike mbi sistemin fiskal, e pasuar nga një përpjekje dyfish e dështuar kundër informalitetit (si për efektet direkte inekzistente, edhe për ato shkatërruese indirekte). Kështu me pretekstin për të forcuar aksionin e shtetit, u shkatërrua një platformë fiskale e konsoliduar prej vitesh (e pranuar dhe vlerësuar nga biznesi, përfshi atë ndërkombëtar) duke u zëvendësuar me një sërë “regjimesh fiskale” private dhe të pavarura nga njëri-tjetri (të paktën një për ministër) që ua vështirësoi jetën operatorëve ekonomikë të pa privilegjuar, duke shembur kështu pritshmëritë e të tjerëve.

Pasi u realizua katastrofa e premtuar në fushatën elektorale, qeveria Rama mohoi me këmbëngulje çdo efekt negativ, si të politikës së re fiskale, ashtu dhe të masave të tjera “me mashtrim” siç qe modifikimi i tarifës elektrike—i reklamuar si ulje, por në fakt i verifikuar në praktikë, veçanërisht nga ato pak firma prodhuese, si rritje e madhe e kostos së energjisë elektrike që mbetet një nga faktorët kryesorë të prodhimtarisë së të gjitha bizneseve prodhuese.

Në të vërtetë, në muajt e parë të qeverisjes, qeveria Rama vazhdoi të mbidhte frutet e qeverisë së mëparshme, duke i lejuar vetes të udhëtonte nëpër botë në kërkim të joshjes së investitorëve, duke përdor refrenin e vjetër dhe të superpërdorur të Berishës se Shqipëria ishte vendi me taksat më të ulta në rajon.

Në këtë mënyrë, qeveria arriti të tërhiqte shumë delegacione biznesi, por sipërmarresit e vërtetë punojnë duke bërë llogari, dhe llogaritë në Shqipëri nuk dalin: Shqipëria sot është vendi me taksat më të larta në rajon, dhe ndër dy vendet e para për të gjtiha kostot e tjera. Mbi të gjitha, Shqipëria ka një kosto shumë të lartë të krahut të punës, për shkak të rendimentit të ulët të fuqisë punëtore. I vetmi avantazh që i ka mbetur vendit është avantazhi logjistik dhe gjuhësor, sidomos për italianët.

Kostove të larta nominale për faktorët kryesorë të prodhimit, u shtohet edhe rëndesa e kostove të prodhuara nga një burokraci, me dashje e pa aftë dhe zhvatëse, e cila, në emër të luftës kundër korrupsionit dhe aplikimit të ligjit, i ka bërë të vështira dhe të kushtueshme edhe praktikat më elementare të biznesit—pagesën e taksave; rimbursimin e TVSH për eksportuesit; vendosjen e lidhjes elektrike, përballjen me kontrollet absurde të tatimorëve që bastisin bizneset; çdoganimet me çmime reference; etj.

Në fund, është kostoja e paaftësisë së administratës publike, që për çdo gjë kërkon gjithmonë diçka shtesë, që nuk varet nga ajo, po nga një zyrë tjetër po aq e paaftë. Nëse ke marrë me qera një zyrë jo të hipotekuar, nuk mund të bësh kontratë; nëse nuk ke paguar gjobën nuk mund të kalosh kufirin me makinë; ke kartë idenditeti, po të kërkojnë çertifikatë; nëse nuk sjell librezën e dritave që tregon se i ke paguar, nuk mund të marësh një çertifikatë tjetër që të duhet për të marrë një tjetër, e kështu me rradhë, të gjithë merren me punët e të tjerëve dhe asnjë me punën e tij.

Në këtë klimë dhe me këtë konsum psikologjik, është e dukshme se çdo sipërmarrës i vogël apo i mesëm, shqiptar apo i huaj, do të zvogëlojë aspiratat dhe projektet dhe, në fund, edhe aktivitetet e veta në minimum, duke eliminuar aktivitet jo kryesore të biznesit të tij, duke hequr dorë apo duke ngrirë projektet e reja e duke adoptuar një strategji mbijetese.

Për të mos thënë, pastaj që investitorët e huaj kanë të paktën nga një mik shqiptar që herët a vonë do u shpjegojë atyre në mënyre bindëse përse duan të ikin nga vendi.

Investuesit e mëdhenj ndeshin të njejtin realitet, por në rrethana të tjera— atëherë kur ndeshin indiferencën e zyrave publike që nuk u përgjigjen aplikimeve të tyre, apo nuk u lënë takime; kur ndeshen më zyrtarë të paaftë që nuk shpjegojnë dhe ndjekin një proçedurë të caktuar; kur hasin mosmarrëveshje të mëdha apo proçese arbitrazhi, apo kur zbulojnë se ideja apo projekti i tyre është marrë dhe kopjuar nga miku i ministrit.

Dhe vjen një ditë që kuptojnë gjithçka dhe ikin. E kështu, mbetet që në Shqipëri mund të investojnë vetëm shqiptarët. Por shqiptarët e dinë mirë se ku jetojnë, ndaj nëse fitojnë ndonjë para, nuk e investojnë, por e dërgojnë jashtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>