Investitorë apo ricklues parash? Asgjë nuk i pengon oligarkët të pastrojnë para.

Nga Carloalberto Rossi
Investitorë apo ricklues parash? Asgjë nuk i pengon oligarkët të pastrojnë para.

Gjatë një debati të ndezur në Kuvend, Kryeministri Rama, në vend që të përballej me problemin e ngritur nga opozita, siç e ka zakon, zgjodhi ta kthejë diskutimin në batuta, artin në të cilin ka treguar aftësi shume më të mira se në zhanret e tjera të artit që ka provuar. Duke përdorur një teknikë të provuar me sukses ditë më parë, ai e kundërakuzoi kryetarin e opozitës si mik të atyre oligarkëve që ai i akuzon se do të riciklojnë paratë falë Projektit 1 Miliardë.

Pavarësisht se edhe këtë herë, hileja për të cituar emrash sipërmarrësish, të cilët dikur ishin pranë PD-së dhe sot janë investitorë poencialë me para të pajustifikuara në projektin 1 miliardë të Ramës, e vuri në siklet Bashën që po e kompromenton veten duke mos dhënë asnjë përgjigje të përshtatshme, loja e batutave nuk duhet të mashtrojë qytetarët për çështjen e riciklimit të parave.

Rama mund ta kthejë gjithçka në diçka qesharake, mund të vërë në siklet Bashën duke i përmendur ish-mbështetësit e tij, mund të urdhërojë vartësit e tij që të kthejnë kokën dhe të mos verifikojnë sinjalizimet për pastrim parash, madje mundet që me shumicën e tij parlamentare të bëjë edhe ligje që lehtësojnë riciklimin e parave të pista, por ai nuk mund të vazhdojë të mendojë se problemet e vërteta të mund të zgjidhen me anë të batutave dhe propagandës së zakonshme.

Riciklimi është një problem i vërtet, dhe në përmasat me të cilat po ndodh në Shqipëri ai është një problem jashtëzakonisht serioz, sepse prania e një sasie të madhe parash për t’u ricikluar do të çojë në lindjen dhe lulëzimin e përkohshëm të një sërë biznesesh me humbje, të cilët në të njëjtën kohë do të sjellin falimentimin e bizneseve që nuk riciklojnë.

Nuk ka asnjë vlerë “fitorja” e ndeshjeve verbale në një Kuvend që as nuk e kupton se cili është rreziku sistematik që sjell paraja e pisët në Shqipëri, nuk vlejnë asgjë as rrëfimet se të kujt janë miqtë e të kujt janë sponsorat. Problemi i vërtet është se riciklimi i parasë e vdes ekonominë normale, dhe kur të përfundojë procesi i pastrimit apo i ri-investimit të parave të prodhuara nga kultivimi dhe trafikimi masiv i marijuanës, ai do të lërë pas një treg plot me rrënojat dhe kufomat e sipërmarrjeve të ndershme.

Ajo që habit në përgjigjet e Ramës është ngatërrimi i qetë që ai i bën prokurimeve me fonde publike dhe invetimeve të financuara nga fonde private, të cilët qartësisht mund të kenë origjinë të dyshimtë.

Fakti se një ose më shumë kompani kanë fituar tendera për të ndërtuar vepra të financuara nga fondet publike, nën qeversjen e PD-së apo atë të PS-së qoftë, nuk ka të bëjë me riciklimin—maksimumi mund të ketë të bëjë me klientelizmin partiak. Ndërsa është e qartë për të gjithë se shumat jashtëzakonisht të mëdha të parave për t’u investuar në infrastrukturë, në vepra me afate shumë të gjata të rikthimit të investimit, kjo po që është sinjal i vërtet për rrezik riciklimi.

Në fund duhet të jetë detyrë e një qeverie normale të vendosë kushte serioze ligjore për sipërmarrjet, të kujtdo anësie politike qofshin—pra, pak rëndësi ka se çfarë ngjyre politike mund të ketë ricikluesi i mundshëm. Veçanërisht kur në kushtet ku ndodhet Shqipëria, është, fatkeqësisht, përcaktuese për suksesin ekonomik të një sipërmarrje që kërkon të bëjë investime madhore (qoftë edhe me koncesione) që të ketë qasje në kapitale të mëdha për t’u ricikluar, pa të cilat nuk mund as të punojë.

Debati mbi kriminalitetin dhe riciklimin përbën deri tani, ndoshta, kontributin e vetem vërtet pozitiv të Bashës në debatin politik të Shqipërisë, por nuk duket se Rama është i gatshëm ta pranojë seriozisht një diskutim të tillë, duke preferuar batuatat dhe shfaqjet prej gladiatori të retorikës.

Mbetet për t’u parë nëse reagimi i Ramës është thjesht reagim instiktiv e infantil, pjella të injorancës, apo shprehje e vullnetit të tij për të shmangur debatin pasi ka zgjedhur me vetëdije një rrugë tërësisht të papërgjegjshme që sjell shkatërrim shoqëror dhe ekonomik.

Në rastin e parë do të mbetej vetëm për ta ndëshkuar si një fëmijë të vogël, në rastin e dytë do të ishte material për gjykatat penale ndërkombëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>