Iran: Fillon pasurimi i Uraniumit me centrifuga të avancuara

Iran: Fillon pasurimi i Uraniumit me centrifuga të avancuara

Irani ka filluar pasurimin e uraniumit me një kaskadë të tretë, ose një grup të përparuar centrifugash IR-2m në uzinën e saj nëntokësore në Natanz, raportoi Reuters më 8 mars, duke cituar një raport nga një vëzhgues bërthamor i OKB.

Monitoruesit e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në 7 Mars verifikuan që Irani filloi të ushqejë kaskadën e tretë me hekzafluorid uraniumi, lëndë e parë për centrifugat, tha agjencia me bazë në Vjenë në raportin e siguruar nga Reuters.

Raporti thotë se një kaskadë e katërt me 174 centrifuga IR-2m ishte “instaluar, por ende nuk ishte ushqyer me UF6 natyrore“. Ndërkohë, një kaskadë e pestë me centrifuga IR-2m është në ndërtim i sipër.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teherani mund të përdorë vetëm centrifuga të gjeneratës së parë IR-1, të cilat rafinojnë uraniumin shumë më ngadalë, në Natanz.

Kjo marrëveshje synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet.

Teherani i ka braktisur gradualisht angazhimet e marra, në përgjigje të një vendimi të vitit 2018 të ish Presidentit Donald Trump, për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga pakti dhe për të rivendosur sanksionet që kanë dëmtuar ekonominë e Iranit.

Javët e fundit Irani ka përshpejtuar aktivitetet e tij bërthamore, në përpjekje për të ushtruar presion mbi administratën e re të Presidentit të SHBA Joe Biden, që është treguar e gatshme të rikthejë marrëveshjen.

Por, Biden insiston që Irani të fillojë t’i përmbahet së pari të gjitha angazhimeve të tij bërthamore.

Ndërkohë, Teherani thotë se së pari duhet të hiqen sanksionet.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>