Kathleen Kavalec, e cila ishte propozuar për t’u bërë ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, është zgjedhur drejtuesja e re e misionit të OSBE-së në Bosnje Hercegovinë. Ky fakt u bë i ditur në faqen zyrtare të OSBE-së ku thuhet:
“Ish zëvendës ndihmës sekretarja për Europën dhe Azinë, ambasadorja Kathleen Kavalec është caktuar drejtuese e misionit të OSBE në Bosnje Hercegovinë më 24 shtator”
Zonja Kavalec do të zëvendësojë Zotin Bruce Berton gjithashtu diplomat amerikan, i cili drejtonte misionin e OSBE-së në Bosnje që prej vitit 2017.
Më parë Kavalec ishte propozuar ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por propozimi i saj u tërhoq kur rezultoi se ajo kishte patur takime dhe komunikime të vazhdueshme me ish-agjentin Christopher Steele, i cili ngriti akuzat për lidhje të fushatës së Presidentit Trump me Rusinë.
Në vend të Katheleen Kavalec, në korrik të këtij viti Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump emëroi si ambasadore në Tiranë Zonjën Yuri Kim.