Ish-prokurori Ramadan Troci neglizhoi hetimet për aksidentet në miniera

Nga Redaksia
Ish-prokurori Ramadan Troci neglizhoi hetimet për aksidentet në miniera

Ish-prokurori Ramadan Troci, i cili nuk e kaloi vetingun, rezulton se ka neglizhuar hetimet për 7 raste aksidentesh me 4 vdekje në miniera duke ua lënë fajin viktimave.

Gazetari Vladimir Karaj raportoi për BIRN se Këshilli i Posaçëm i Apelimit (KPA), në konfirmimin e vendimit të mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), kishte nxjerrë në pah “neglizhencën e dukshme” dhe “gati përcaktuese” të zotit Troci në fatet e hetimeve të aksidenteve në miniera, në të cilat faji u është lënë viktimave.

Për hetimin e 7 rasteve të aksidenteve në miniera me 4 të vrarë dhe 3 të plagosur, në të cilat zoti Troci ua kishte lënë fajin viktimave, KPA vlerësoi se argumentet e tij kishin qenë të dobëta.

KPA arsyetoi se hetimet në këto raste nuk ishin kryer ose ishin bërë keq dhe se dukej se fati i tyre ishte i paracaktuar dhe se asnjëherë nuk u kërkua faji në drejtim të kompanive që shfrytëzonin minierat.

“[…] Sjellja e subjektit (zotit Troci) në drejtim të trajtimit të çështjeve penale që lidhen me hetimin e veprave penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, të cilat kanë sjellë si pasojë humbjen e jetës së qytetarëve, me një neglizhencë të dukshme e me një qasje gati të paracaktuar drejt përcaktimit të përgjegjësisë te viktimat e aksidentit, do të lexohej nga publiku si një sjelle që nuk ngjallte besim te sistemi i drejtësisë, përderisa në të gjitha këto raste subjekti i rivlerësimit ka vendosur të ndëshkojë të dëmtuarit dhe ka shmangur nga hetimi dhe përgjegjësia një kategori shumë të mundshme për të qenë e tillë, siç janë kompanitë që shfrytëzojnë burimet minerare”.

Gazetari i BIRN Vladimir Karaj vëren se diçka e ngjashme u identifikua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit edhe në rivlerësimin e prokurorit Hysni Vata, i cili është shkarkuar nga KPK, ndër të tjera edhe për mos-hetimin e aksidenteve në punë.

BIRN ka raportuar disa here për raste ku qoftë prokuroria, qoftë autoritetet përgjegjëse për sigurinë në punë, i mbyllnin në shumicë hetimet duke ua lënë fajin viktimave (mund t’i lexoni këtu, këtu dhe këtu).

Vendimet e KPK dhe KPA konfirmojnë trajtimin e çështjeve me neglizhencë dhe mbylljen e tyre në disa raste edhe pa pritur rezultate të ekspertizave apo me ekspertiza formale prej ekspertësh, që sipas KPA nuk njiheshin si të tillë.

KPA ka vënë në dukje se të gjitha hetimet e bëra nga zoti Troci në këtë drejtim mbylleshin kryesisht bazuar mbi ekspertiza të personave që nuk ishin formalisht ekspertë. Aty theksohet se ai zgjidhte gjithmonë të njëjtët persona dhe se kjo bënte që konkluzionet të ishin të njëjta. “Arrijnë në konkluzione gjithmonë të njëjta, duke përcaktuar si shkelës të rregullave viktimën, e cila nuk mund të përgjigjet penalisht,” thuhet në vendim.

“[…] Komisioni me të drejtë ka arsyetuar se mungesa e hetimit dhe moskryerja e veprimeve procedurale të nevojshme ka penguar zbulimin e së vërtetës dhe ka cenuar zbatimin e garancive të Konventës Evropiane për mbrojtjen e Lirive e të Drejtave Themelore të Njeriut, sepse është e pamundur të garantohej parimi thelbësor dhe bazik i kësaj konvente, e drejta për jetën”.

Zoti Ramadan Troci e nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 duke punuar në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014 u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 ishte prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Zoti Troci u shkarkua filimisht në nëntor 2018 nga KPK, e cila konstatoi pasuri të pajustifikuar dhe shkelje profesionale. Vendimi për shkarkim nuk u ndryshua as një vit më vonë kur KPA shqyrtoi ankesën e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>