Ish- ushtarët e UÇK-së kërkojnë lirimin e ish-komandantëve nga Haga

Ish- ushtarët e UÇK-së kërkojnë lirimin e ish-komandantëve nga Haga

Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan të premten në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë, kundër mbajtjes në burg të ish-komandantëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale e Hagës.

Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin “Unë jam veç çlirimtar, kështu më deshi liria”.

Ata kërkuan lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga dhomat e paraburgimit në Hagë.

Gjithashtu, i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të mbajë qëndrim për ish-komandantët e UÇK-së.

Kjo nuk është hera e parë që në vend organizohen protesta në përkrahje të komandantëve të UÇK-së.

Një vit më parë u organizuan protesta të ngjashme, ku veteranët e luftës i quajtën akuzat të pabaza.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen, nga Gjykata e krimeve lufte në Kosovë, për krime ndaj njerëzimit, pas përfundimit të luftës së Kosovës. Ata ndodhen në paraburgim.

Gjykata e krimeve të luftës në Kosovë, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, u krijua nga parlamenti i Kosovës me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare në gusht 2015.

Ajo pasoi një raport të Këshillit të Evropës në 2011 në të cilin Senatori Zviceran Dick Marty adreson krimet e pretenduara të “anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë” nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>