Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme, kërkohet largimi i presidentit

Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme, kërkohet largimi i presidentit

Dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Italia mund të shkojë sërish, shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme. Mosaprovimi i Paolo Savonas si ministër financash, e për pasojë mosformimi i qeverisë, ka bërë që Italia të gjendet aktualisht në një krizë kushtetuese, ku dy partitë fituese të zgjedhjeve kërkojnë largimin e presidentit.

Çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në Itali?

Më 21 maj, pas më shumë se dy muaj bisedimesh, Lëvizja Pesë Yjet (M5S) dhe Lega Nord arritën në një marrëveshje për emrin që do të propozonin si Kryeministër, si dhe emrat për secilën ministri.

Giuseppe Conte, profesor për ligjin e administratës publike u propozua si kryeministër; Matteo Salvini, kreu i LegaNord, si ministër i Brendshëm dhe Luigi di Maio, kreu i M5S, ministër i Punës.

Paolo Savone, i njohur për qendrimet e tij anti-evropiane dhe anti-euro, u propozua për postin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Dje, Presidenti Sergio Mattarella njoftoi se pranon të gjithë emrat e propozuar nga Lega Nord dhe M5S për qeverinë e re, përveç emrin e Paolo Savonas.

Duke përdorur si argument shqetësimet e investitorëve, Presidenti Mattarella tha se nuk mund ta mandatonte qeverinë e re nëse brenda saj është dhe Paolo Savona.

Pas këtij refuzimi, kryeministri i propozuar Conte njoftoi dorëheqjen, ndërsa kreu i M5S Luigi di Maio, akuzoi presidentin Mattarella për thellimin e krizës politike në vend.

Luigi di Maio tha sot se do të kërkojnë largimin e presidentin bazuar në nenin 90 të Kushtetutës, që i lejon parlamentit të kërkojë largimin e presidentit me shumicë të thjeshtë votash, nëse presidenti ka bërë tradhëti të lartë ose ka shkelur kushtetutën.

Ndërkohë pas refuzimit për të mandatuar qeverinë e re, presidenti Mattarella ka takuar Carlo Cottarellin, ish-zyrtarin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të diskutuar formimin e një qeverie të përkohshme deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mediat italiane shkruajnë sot se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, në këtë klimë krize mund të favorizojë Lega Nord dhe M5S për të marrë më shumë mbështetje pasi fushata e tyre mund të mbështetet mbi faktin se atyre iu mohua nga presidenti e drejta për të qeverisur dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>