Italia po përgatitet të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanisë Pfizer për vonesat në shpërndarjen e vaksinave të porositura më parë.
Italia mori 48,000 nga 397,000 vaksina të parashikuara këtë javë, ndërsa javën e kaluar mori 165,000 më pak nga sa kishte porositur.
Rreth një e treta e 27 qeverive të BE-së kanë raportuar se kishin doza “të pamjaftueshme” të vaksinave.
Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia e quajtën situatën “të papranueshme” dhe e paralajmëruan Pfizerin se po “ul besueshmërinë e procesit të vaksinimit”.
Domenico Arcuri, komisioneri i emergjencave Covid-19 i Italisë, tha se ai kishte mbështetjen e udhëheqësve rajonalë të vendit për të ndërmarrë veprime ligjore në ditët në vijim.
“Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve italianë nuk është një çështje e negociueshme. Programi i vaksinimit nuk mund të ngadalësohet, e lëre më për shumë prej italianëve që kanë marrë tashmë dozën e parë.” tha Arcuri.
Italia ka vaksinuar rreth 1.2 milionë qytetarë deri tani kundër COVID-19.