Japonia, Franca dhe SHBA-të do të bëjnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në tokë dhe det për herë të parë në maj të 2021, ndërsa ushtria kineze ka rritur aktivitetin në rajon, raporton Reuters.
Stërvitja ushtarake do të kryhet në një prej ishujve të pabanuar të Japonisë dhe do të përqëndrohen në dhënien e ndihmës gjatë një katastrofe natyrore, por edhe kundër një sulmi ushtarak të mundshëm.
Ministria e mbrojtjes së Japonisë nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Reuters për konfirmim të lajmit.
Ushtrimet e përbashkëta synojnë të sigurojnë mbrojtje nga Kina, e cila pretendon ishuj të kontrolluar nga Japonezët në Detin e Kinës Lindore, tha një gazetë japoneze.
“Ne duam të tregojmë praninë tonë në rajon dhe të dërgojmë një mesazh në lidhje me bashkëpunimin Japoni-Francë,” i tha gazetës japoneze Sankei në një intervistë të veçantë Admirali Pierre Vandier, shefi i shtabit të marinës franceze.
“Ky është një mesazh që synon Kinën. Ky është një mesazh në lidhje me partneritetet shumëpalëshe dhe lirinë e kalimit”, sqaroi ai.
Kina ka thënë se synimet e saj në rajon janë paqësore.
Por Japonia është shqetësuar veçanërisht për një rritje të aktivitetit detar kinez rreth ishujve të diskutueshëm në Detin e Kinës Lindore.